Trump e kërcënoi me sanksione, Erdogan drejtohet kah Rusia dhe Kina

Pak ditë pasi Presidenti Trump kërcënoi Turqinë me sanksione të ashpra nëse nuk lironte pastorin amerikan Andrew Brunson, Presidenti Receep Tayyip Erdogan ka hedhur një hap për t’u afruar më shumë me Rusinë dhe Kinën.

Erdgoan u ka kërkuar vendeve të BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut) të pranojnë anëtarësimin e Turqisë në grup.

“Ne jemi në G20 me këto 5 shtete. Uroj që ata të ndërmarrin hapat e nevojshëm që edhe ne të zëmë vendin tonë në BRICS”, tha Erdogan për “Hurriyet Daily News”. Ai tha se nëse Turqia do t’i shtohej grupit, emri i tij do të ndryshonte në “BRICST”.

Sipas Presidentit turk, sugjerimi ishte mirëpritur nga anëtarët e grupit, veçanërisht nga Kina. “Kina thotë se është në favor të zgjerimit. Kam parë që ata po konsiderojnë përfshirjen e të tjerë vendeve në këtë platformë.”

Turqia u ftua në takimin e 10-të vjetor të grupit si Presidente e radhës e Organizatës për Bashkëpunim Islamik. BRICS u themelua në vitin 2006 fillimisht nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, me Afrikën e Jugut që iu bashkua grupit në vitin 2010. Anëtarët aktualë të grupit përfaqësojnë 40 për qind të popullsisë së botës dhe rreth 25 për qind të PBB.

Lëvizja e Erdgoan shikohet si një hap drejt afrimit të mëtejshëm të Turqisë me Rusinë dhe Kinën dhe largimin e saj nga Perëndimi. Një ditë më parë, Presidenti turk e paralajmëroi Turmpin se “Ne nuk mund të tërhiqemi kur kërcënohemi me sanksione, ata duhet të dinë se po humbasin një partner të sinqertë”. /tvklan

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne