Bota

Trump është i kënaqur që po nxjerr Serbinë nga izolimi nëpërmjet Kosovës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur fitore marrëveshjen për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.

Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se marrëveshja u arrit përderisa të gjithë thoshin se ajo nuk mund të bëhej.

“Të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por, për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore”, ka shkruar Trump.

Presidenti Trump, në postimin e tij, falënderon ambasadorin Robert O’Brien, këshilltar i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell.

Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore, e ka cilësuar si “historike” edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.

“Ditë historike. Jemi duke tejkaluar të kalurën dhe duke ndërtuar marrëdhënie normale në mes të fqinjëve”, thuhet në një postim në Twitter të këtij Këshilli.

Si u arrit marrëveshja?

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka nënshkruar të hënën (21 janar, 2020) në Berlin një marrëveshje me aviokompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur linjën ajrore Prishtinë–Beograd.

Kjo letër e interesit është nënshkruar në Ambasadën Amerikane në Berlin të Gjermanisë, tha për Radion Evropa e Lirë, Eset Berisha, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Të njëjtën marrëveshje me kompaninë gjermane e ka nënshkruar edhe delegacioni i Serbisë, nga Ministria e Ekonomisë.

Eset Berisha, tha se ky është një hap përpara drejt hapjes së korridoreve të reja përmes hapësirës ajrore në drejtim të shteteve fqinje. Deri më tani nuk ka ekzistuar asnjë kontakt mes autoriteteve te aviacionit civil të të dy shteteve.

“Sot (e hënë) është nënshkruar një letër e interesit me të cilën institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Ministria e Infrastrukturës, japin mbështetje kompanisë ajrore Prishtinë-Beograd. Kjo pritet të realizohet në kuadër të një mekanizmi për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesa edhe Kosova së bashku me autoritetin e NATO-s dhe KFOR-it”, tha Berisha.

Kjo letër, theksoi Berisha, është nënshkruar në prani të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Berlin, Richard Grenell, i cili është edhe dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për media, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka thënë se kompania Lufthansa duhet të kërkojë aprovimet dhe licencat për të gjitha fluturimet, sipas kërkesave, rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes për ECAA ( Marrëveshja e zonës së aviacionit të përbashkët evropian).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së synimeve në mes të kompanisë ajrore Lufthansa dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Në një postim në rrjetin social, Facebook, Thaçi tha se ky hap shënon një tjetër përpjekje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Më herët gjatë ditës, drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se pret që të hënën në Berlin të nënshkruhet një letër për synimet e Ministrisë serbe të Ekonomisë dhe kompanisë së fluturimeve Lufthansa, për vendosjen e një linje ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Gjuriq tha se kjo linjë mund të jetësohet pas heqjes së taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Sipas tij, zyrtarët në Beograd do të njoftojnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, dhe atë të NATO-s, KFOR, në lidhje me këto synime.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mirëpritur synimet e kompanisë Eurowings dhe grupit Lufthansa, për të hapur linjën ajrore në mes të Prishtinës dhe Beogradit, bazuar në disa letra të ashtuquajtura të qëllimeve që janë nënshkruar sot në Berlin.

“Ky është një hap i rëndësishëm që do të lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Komandanti i misionit tonë të KFOR-it vazhdon të jetë autoritet i hapësirës ajrore në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. NATO-ja do të jetë e përfshirë e Takimin për Normalizimin të Aviacionit në Ballkan, të cilin udhëheqim”, është thënë mes tjerash në deklaratën e Stoltenbergut.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve nga Prishtina dhe Beogradi për linjën ajrore është fitore historike e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

“Kosova dhe Serbia sot nënshkruan një marrëveshje për të krijuar linjën e parë të fluturimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas 21 vjetësh”, ka shkruar Grenell.

Kosova ende nuk ka në menaxhim hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen teknike ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës nën nivelin e fluturimit 205 deri në 6205 metra, menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë ajrore mbi nivelin e fluturimit 205 deri në 6205 metra, është rihapur për fluturimet civile më 3 prill të vitit 2014 dhe është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.

Ndërkaq në raportin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2018, thuhet se NATO ka vazhduar të udhëheqë bisedimet gjatë vitit 2018 me autoritetet shtetërore të Kosovës dhe vendeve fqinje për të normalizuar edhe hapësirën e ulët ajrore të Kosovës.

Normalizimi i plotë i hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, ndër të tjera, do të përfshijë hapjen e korridoreve të reja ajrore në mes Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, që do të shërbenin për të gjithë avionët që fluturojnë në ANP “Adem Jashari”.

Tash për tash, të gjitha fluturimet në Prishtinë kryhen vetëm përmes një korridori ajror që lidh Republikën e Kosovës me Maqedoninë e Veriut. Korridoret e reja do ta shkurtonin kohën e fluturimit për rreth 15-20 minuta, do ta ulnin koston e operimit për kompanitë ajrore, që rrjedhimisht do të duhej të reflektohej në bileta më të lira për udhëtarët tanë./evropaelire/

 

 

 

OPINIONE

INTERVISTA