Trump i kërkon Kanadasë të rrisë kontributin në NATO

Sipas një lajmi të agjencisë kanadeze “Canadian Press” letra në fjalë mban datën 19 qershor dhe në këtë letër Trump shkruan se ShBA-të janë të zhgënjyera nga disa aleatë që nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në kuadër të NATO-s.

“ShBA-ja nuk dëshiron të mbyllë sytë para dështimeve, kur është në pyetje lufta kundër problemeve të përbashkëta të sigurisë së NATO-s”, e vijon letrën e tij kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Trump vlerëson kontributin e mbrojtjes të Kanadasë në Irak, Siri, Afganistan dhe misionet paqësore të Kombeve të Bashkuara (OKB), ndërsa shton se ky kontribut nuk nënkupton se nuk duhen përmbushur premtimet e bëra më parë për nevojat e NATO-s.

“Kanadaja është një nga aleatët më të aftë dhe lider për sigurinë tonë në mbarë botën, por shpenzimet e Kanadasë për mbrojtjen janë më të ulëta se 2% (në raport me PBB), që është edhe niveli i kërkuar nga NATO. Gjë kjo që lëndon sigurinë e Aleancës dhe njëkohësisht nxit aleatët tjerë që nuk i përmbushin obligimet e tyre lidhur me shpenzimet e mbrojtjes”,- i shkruan Trump Kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau.

Duke iu referuar Samitit të NATO-s, që do të mbahet në muajin korrik në Bruksel, Trump shkruan: “Në këtë samit ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë kredibilitetin e Aleancës duke përmbushur angazhimet tona të dakorduara. Unë pres që të shoh një rekomandim të fortë nga Kanadaja për të përmbushur objektivat që kemi rënë dakord për angazhimin në investimet e mbrojtjes”.

Nga ana tjetër, Renee Filiatrault, zëdhënësja e ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë Harjit Sajjan, në deklaratën e saj lidhur me pasqyrimin në median të kësaj letre, tha: “Kanadaja është krenare që ka kontribuar në çdo operacion që kanë realizuar deri më sot forcat e NATO-s dhe pjesëmarrja e Kanadasë në operacionet e NATO-s në botë është një tregues konkret i angazhimit tonë ndaj Aleancës”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne