Trump: Irani po luan me zjarrin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) Donald Trump deklaroi se Irani është duke luajtur me zjarrin duke tejkaluar kufirin e lejuar për uraniumin e pasuruar, i cili është përcaktuar në marrëveshjen që Teherani ka firmosur me ndërkombëtarët në vitin 2015 për programin e tij bërthamor.

Vendimin e Iranit për të tejkaluar kufirin e lejuar të uraniumit të pasuruar Trump e vlerësoi në prani të gazetarëve në një ceremoni nënshkrimi organizuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump tha se vendimi është i papranueshëm dhe theksoi se “Ata po luajnë me zjarrin”, duke aluduar për udhëheqjen iraniane.

Kurse në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë thuhet se do të ishte një gabim i madh lejimi i Iranit të pasurojë uranium në një nivel të çfarëdoshëm, duke argumentuar se Teherani i ka shkelur kushtet e marrëveshjes edhe para nënshkrimit të saj.

“Duhet të rikthehemi në standardet e parandalimit të përhapjes së armëve bërthamore, ku nuk do të ketë pasurim (uraniumi) për Iranin. ShBA dhe aleatët e saj nuk do të lejojnë kurrë që Irani të zhvillojë armë bërthamore”,- vijon komunikata.

Fushata për “presion maksimal” kundër Iranit do të vazhdojë dhe regjimi iranian duhet të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore, përfundon komunikata e lëshuar nga Zyra e Zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përmes një komunikate të shkruar i ka bërë thirrje Iranit që të mos e tejkalojë kufirin e lejuar për uraniumin.

Pompeo e akuzon Iranin për “sponsorizim të terrorizmit në kuptimin rajonal” dhe thotë se asnjë marrëveshje bërthamore nuk duhet t’i njohë mundësi regjimit iranian të pasurojë uranium në çfarëdolloj niveli.

Një Iran që zotëron armë bërthamore do të jetë një kërcënim i madh për rajonin dhe të gjithë botë, argumentoi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili vijim bëri këtë koment: “ShBA-ja është e gatshme që të negociojë me Iranin një marrëveshje të re dhe të gjithanshme për të zgjidhur kërcënimin që krijon ky vend për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Më herët udhëheqja iraniane kishte njoftuar se e kishte tejkaluar kufirin e lejuar të uraniumit prej 300 kg, shifër kjo e përcaktuar në marrëveshjen e vitit 2015 për kufirin e sasisë së uraniumit të pasuruar./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne