Trump: Lufta do të ishte ‘fundi zyrtar i Iranit’

“Nëse Irani dëshiron të luftojë, kjo luftë do të jetë fundi zyrtar i Iranit”, ka kërcënuar edhe një herë presidenti amerikan në një postim në Twitter.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump i tha të dielën Iranit të mos e kërcënonte Amerikën, pasi kjo do të sillte “fundin zyrtar” të Teheranit.

“Nëse Irani dëshiron të luftojë, ky do të jetë fundi zyrtar i Iranit. Kurrë mos i kërcënoni më Shtetet e Bashkuara!”, shkruan Trump në postimin që ka bërë në llogarinë e tij në Twitter duke e kërcënuar edhe një herë Iranin, por duke mos dhënë hollësira për natyrën e kërcënimit.

Më 8 maj të 2018-s administrata e Trumpit kishte deklaruar tërheqjen nga marrëveshja bërthamore e firmosur më 2015.

Pastaj ShBA-ja nisi të zbatojë sanksione ndaj qeverisë se Teheranit, të kishin në shënjestër eksportin e naftës iraniane, ndërsa në prill të këtij viti Uashingtoni përfshiu në listën e “organizatave të huaja terroriste” ushtrinë e Gardës Revolucionare të Iranit.

Nga ana tjetër Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani në përgjigje të sanksioneve amerikane më 8 maj kishte njoftuar rifillimin pjesërisht të aktivitetit bërthamor dhe u kishte njohur 60 ditë afat vendeve nënshkruese të marrëveshjes (bërthamore) për të marrë masat që do të mbronin interesat e Iranit.

Si masë mbrojtëse ndaj kërcënimeve të mundshme nga Irani pak kohë më parë ShBA-ja kishte dërguar në Gjirin Persik Grupin e Sulmit të aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe Taskforcën e Bombardimit, e cila përbëhet nga 4 avionë bombardues të tipit B-52 me kapacitet nuklear.

Të enjten, “New York Times” citonte burime të inteligjencës të thonin se Irani kishte vendosur së fundmi në Gji anije ushtarake [të armatosura me raketa-hedhës] duke e rritur frikën e konfliktit të mundshëm./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne