Trump: Marrëveshja tregtare me Kinën, më sfiduese nëse fitoj zgjedhjet e 2020

Donald Trump ka bërë disa postime në llogarinë e tij në “Twitter” në lidhje me luftën tregtare që vazhdon ende midis Kinës dhe ShBA-së.

“Negociatat me Kinën po shkojnë mirë, por Kina do të dëshironte që marrëveshjen (tregtare) ta bënte me një qeveri të re amerikane”, -thotë Trump.

“Unë mendoj se çfarë do të ndodhë kur të fitoj përsëri (zgjedhjet presidenciale). Marrëveshja (me Kinën) do të jetë edhe më e ashpër. Në të njëjtën kohë, zinxhiri furnizues kinez do të prishet dhe Kina do të përballet me ‘hemorragji’ në biznes, tregti, para”, shkruan Trump në “Twitter”.

Nga ana tjetër, Trump i është përgjigjur përmes “Twitter”-it edhe kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan, i cili e ka kritikuar atë për kalimin e kohës duke luajtur golf, pavarësisht anulimit të vizitës në Poloni për shkak të afrimit të uraganit Dorian në brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Trump e cilësoi Khanin si “kryetarin e paaftë të bashkisë së Londrës” dhe e argumenton kështu veprimin e tij: “Edhe politikanët e tjerë merren me sport për orë të tëra; udhëtojnë me javë të tëra. Ai vet (Khan) shkon në një kurs golfi ‘shumë të shtrenjtë’. Ish-presidenti Barack Obama në një situatë të tillë do të kishte shkuar në Havai”.

“Khani duhet të fokusohet në sulmet me thikë në Londër, të cilat kanë dalë plotësisht jashtë kontrollit, aq sa njerëzit kanë frikë të ecin në rrugë. Ai është një kryetar i tmerrshëm që duhet të qëndrojë larg punëve tona”,- vijon reagimin e tij Trump./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne