Trump: Mbretëresha Elizabetë II mendon se Brexit-i është një problem kompleks

Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se ka shkelur protokollin mbretëror duke bërë publike bisedën private me Mbretëreshën Elizabetë II, e cila, sipas tij, ka theksuar se Brexit-i ishte një problem shumë kompleks, gjatë një interviste për një media britanike.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili ka shkaktuar tashmë zemërimin e autoriteteve britanike gjatë vizitës katërditore në Britaninë e Madhe duke kritikuar Kryeministren Theresa May për mënyrën se si ajo po e menaxhon Brexit-in, ka takuar Mbretëreshën në Kështjellën “Windsor”.

Ai deklaroi më pas për komentatorin e televizionit, Piers Morgan, se kishte diskutuar për çështjen e ndjeshme të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

“Ajo ka thënë dhe ka të drejtë se Brexit-i është një problem shumë kompleks, mendoj se askush nuk e imagjinon se sa e komplikuar është kjo çështje”, theksoi ai, sipas një interviste të pulikuar nga gazeta “Mail on Sunday”.

“Të gjithë mendojnë se do të jetë e lehtë, ne do të integrohemi ose jo, duhet të shikojmë se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.

Pavarësisht një sërë mosmarrëveshjesh diplomatike mes Britanisë së Madhe dhe Presidentit Trump, Theresa May shpreson të arrijë një marrëveshje tregtare me SHBA-në, pas daljes nga BE-ja.

Pasi mori pjesë në Samitin e NATO-s dhe zhvilloi një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, presidenti amerikan shkoi në Skoci në pritje të takimit me homologun rus, Vladimir Putin, në Helsinki./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne