“Trump miratoi sulmin ajror kundër Iranit, por u tërhoq”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump të enjten në mbrëmje ka miratuar sulmet ajrore kudër Teheranit në hakmarrje për rrëzimin e një avioni amerikan vëzhgues, por u tërhoq prapa, ka njoftuar gazeta “The New York Times”.

Duke cituar disa zyrtarë të lartë në një lajm të saj gazeta amerikane “The New York Times” (NYT) pretendon se Trump ka hequr dorë në minutën e fundit nga vendimi për të sulmuar Iranin.

Në lajmin me titull “Trump miratoi sulmin ajror kundër Iranit, pastaj u tërhoq papritur” gazeta NYT raporton se autoritetet ushtarake dhe diplomatike kishin pritur që ShBA-ja të godiste deri në orën 19.00 disa radarë dhe bateri raketash të Iranit, por kjo nuk ishte realizuar si rrjedhojë e tërheqjes së Trumpit nga vendimi i tij.

Nga Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk ka ardhur ndonjë deklaratë në lidhje me këto pretendime.

Garda Revolucionare e Iranit kishte njoftuar të enjten në mëngjes se kishte goditur me raketë tokë-ajër dhe rrëzuar një dron ushtarak të tipit “RQ-4 Global Hawk” të Forcave Ajrore të ShBA-së në bregdetin e qytetin Kuhmubarek të provincës Hurmuzgan në Gjirin e Omanit për arsye se droni amerikan kishte “shkelur hapësirën ajrore të Iranit”.

Komanda e Forcave Qendrore të ShBA-së e kishte konfirmuar ngjarjen duke argumentuar se droni në fjalë ishte qëlluar ndërsa po fluturonte mbi ujërat ndërkombëtare.

Presidenti Trump në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në Zyrën Ovale gjatë takimit me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, tha se publiku do ta “shikonte së shpejti” përgjigjen amerikane ndaj rrëzimit të dronit.

“Irani bëri një gabim të madh, ky dron ishte në ujërat ndërkombëtare. Kemi prova shkencore që e vërtetojnë këtë (vendodhjen e dronit)”,- tha Trump.

Në një zhvillim të freskët të enjten vonë, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) lëshoi një urdhër emergjence që u ndalonte operatorëve ajrorë amerikanë të fluturonin në pjesë të hapësirës ajrore të kontrolluar nga Irani.

Tensionet mes ShBA dhe Iranit po rriten që nga viti i kaluar, kur Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 (firmosur midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermaninë dhe BE, i njohur si grupi P5+1)

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Një pjesë e kësaj fushate ka përfshirë ri-vendosjen e sanksioneve të ShBA-së mbi eksportet e naftës së papërpunuar iraniane, e cila e ka çuar në rënie ekonominë iraniane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) gjithashtu kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar një forcë goditëse, taskëforcë bombarduese dhe bateri me raketat “Patriot” dhe kërcënimet e Iranit i përdorin si arsyetim për këto veprime ushtarake.

Të hënën, administrata Trump njoftoi se do të dërgonte 1.000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, duke iu referuar sërish kërcënimeve në rritje që vijnë nga Irani./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne