Aktpadi u ngrit edhe kundër Rick Gates, partner në biznes i zotit Manafort. Fillimisht presidenti komentonte në Twitter që padia lidhej me një periudhë kur Manafort nuk kishte filluar ende punë për fushatën e tij. Po më pas në Twitter, presidenti shkruante “Përse nuk janë nën hetime edhe Hillari mashtruesja dhe demokratët?”
Dje, ndërsa shtoheshin spekulimet lidhur me aktpaditë, Presidenti Trump e përdori llogarinë në Twitter për të vënë në lojë idenë se fushata e tij kishte bashkëpunuar fshehtazi me Rusinë për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve dhe për të shprehur revoltim që vëmendja e medias ishte më e përqendruar tek aktpaditë dhe jo aq shumë tek hetimet lidhur me akuzat kundër rivalëve dhe armiqve të tij politikë.
Presidenti aludoi se hetimet mbi Rusinë e kishin larguar vëmendjen e publikut nga përpjekjet e republikanëve tek reforma fiskale. “Mos është e rastësishme? JO!” shkruan presidenti.
Ty Cobb, një ndër juristët në ekipin ligjor të presidentit, tha se komentet e presidentit nuk kanë lidhje me zhvillimet në hetimet e prokurorit special Mueller.