Trump ndryshon deklaratën për sulmin ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili më herët deklaroi se kishte miratuar sulmin ajror ndaj Iranit, por se hoqi dorë në minutën e fundit, pjesërisht e ndryshoi deklaratën e parë dhe tha se ende nuk e kishte dhënë miratimin përfundimtar.

Trump në reportazhin që dha për kanalin televiziv amerikan “NBC” ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për sulm, por se nuk e kishte dhënë miratimin përfundimtar, ndërsa shtoi se “Deri në minutën e fundit nuk u ndez drita jeshile, sepse gjërat mund të ndryshonin”.

Në përgjigje të pyetjes se “A kanë qenë të gatshëm avionët luftarakë të ShBA-së për të sulmuar në atë moment disa objektiva të Iranit?”, Trump tha se “Jo, por ishin në gjendje për ta bërë këtë, gjithashtu gjërat do të mund të përshkallëzoheshin deri në një pikë pa kthim”.

Në mes tjerash Trump tha se kishte pyetur se “Sa persona mund të vdesin gjatë sulmit të mundshëm?”, ndërsa shtoi se hoqi dorë kur i thanë se “Shifra do të mund të jetë rreth 150”.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump në deklaratën e bërë nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter kishte thënë se të enjten në mbrëmje do të ndërmerrnin sulme ndaj 3 pikave të ndryshme në Iran, por pasi mori njoftimin se në këto sulme do të humbin jetën rreth 150 persona ai hoqi dorë 10 minuta para fillimit të operacioneve.

Garda Revolucionare e Iranit kishte njoftuar se të enjten në mëngjes në brigjet e qytetit Kuhmubarek në Gjirin e Omanit në provincën Hurmuzgan ka rrëzuar një dron të Forcave Ajrore Amerikane tip “RQ-4 Global Hawk” me raketë tokë-ajër, i cili bëri shkelje të hapësirës ajrore.

Komanda Qendrore e Forcave Amerikane (CENTCOM) e konfirmoi rastin, por pretendoi se droni në fjalë është rrëzuar deri sa ishte duke fluturuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne