Trump njoftoi se Sudani i normalizon marrëdhëniet me Izraelin

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot se Sudani ka rënë dakord të hapë marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin, duke e bërë atë vendin e tretë në muajt e fundit që e bën këtë pas Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, e konfirmoi këtë veprim duke thënë në Twitter se kjo shënon “një hap tjetër të madh drejt ndërtimit të paqes në Lindjen e Mesme me një komb tjetër që i bashkohet Marrëveshjeve e Abrahamit”.

“Marrëveshjet e Abrahamit” është emri që u është dhënë pakteve të ndërmjetësuara nga Trump që kanë nënshkruar shtetet arabe për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.

Para zhvillimeve të fundit, Egjipti dhe Jordania ishin shtetet e vetme arabe që kishin marrëdhënie me Izraelin. Egjipti e bëri këtë në vitin 1979 dhe Jordania në vitin 1994./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne