“Trump po përpiqet ta zhbëjë kauzën palestineze”

Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanije, ka theksuar se presidenti amerikan, Donald Trump, përpiqet ta zhbëjë kauzën palestineze, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Gazën e bllokuar lidhur me hapat e ardhshëm të Hamasit, Hanije tha se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë zbatimin e projekteve që shpërfillim parimet dhe interesat e popullit palestinez.

“Që nga ardhja e tij në pushtet, Trump po përpiqet të marrë nën kontroll forcat e botës arabe dhe islame, edhe përmes trysnive të Izraelit, me qëllim që ta zhbëjë kauzën palestineze”, theksoi Hanije.

Ai shtoi se Hamasi do të jap përpjekjet maksimale kundër projekteve të Trumpit. “Asnjë përpjekje dhe zgjidhje nuk do të ketë sukses nëse nuk përkon me interesat e popullit palestinez dhe me krijimin e një shteti sovran palestinez me kryeqytet Jerusalemin. Ne do të qëndrojmë kundër këtyre projekteve, cilido që të jetë çmimi. Edhe më të rrezikshme e shohim përgjigjen e SHBA-ve ndaj urdhrave të përsëritura lidhur me vendet tona të shenjta”, është shprehur Hanije.

Hanije ka thënë se e refuzojnë atë që përfolet si “atdhe alternativ” për qindra mijëra palestinezët e dëbuar me krijimin e shtetit izraelit në vitin 1948. Ai bëri thirrje për zhvillimin e një strategjie arabo-palestineze për mbrojtjen e të drejtës së palestinezëve për kthim dhe kundër projekteve për “atdhe alternativ”.

“Çështja e refugjatëve palestinezë është çështje që nuk harrohet, kurse refugjatët do të vazhdojnë të jenë thelbi i kauzës palestineze”, tha Hanije, duke shtuar se çështja e refugjatëve palestinezë është çështje për të cilën nuk mund të hiqet dorë me kompromise.

Lidhur me konfliktet në vendet arabe dhe islame, Hanije tha se Hamasi e zbaton fuqimisht politikën për të qëndruar larg çdo konflikti dhe mosmarrëveshjeje, duke shtuar se Hamasi përpiqet t’i forcojë marrëdhëniet me vendet arabe dhe islame, pa ndërhyrje në punët e brendshme.

“Le të jenë të qetë vëllezërit tanë në shtetet arabe lidhur me Hamasin, sepse nga Hamasi mund të keni vetëm të mira. Hamasi ngelet i lidhur për parimin që përpjekja të zhvillohet vetëm në territoret palestineze. Busulla e Hamasit është Jerusalemi, kurse lufta e saj do të jetë vetëm kundër armikut cionistë”, theksoi Hanije.

Ai paralajmëroi se Hamasi do të hap faqe të re me shtetet arabe dhe islame në periudhën në vijim.

Hanije ka folur edhe për krizën mes Katarit dhe fqinjëve të Gjirit, tha se Hamasi gjithnjë do të japë çdo përpjekje që ul tensionet dhe çon drejt unitetit arab. Ai shtoi se mosmarrëveshjet në fjalë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Ai rikujtoi mbështetjen e Katarit për Palestinën dhe Gazën, duke falënderuar Katarin, Turqinë dhe Iranin për mbështetjen.

“Falënderoj fillimisht Katarin për mbështetjen e ofruar për popullin palestinez, Turqinë që ka siguruar çdo mbështetje financiare për Gazën dhe Palestinën, dhe Iranin që ka ofruar mbështetje ushtarake për Brigadat Al Kasam, krahun e armatosur të Hamasit”, tha Hanija.

Duke folur edhe për shkeljet e autoriteteve izraelite kundrejt të burgosurve palestinezë, Hanije i cilësoi si akte terroriste burgosjet administrative.

“Praktika e burgosjeve administrative të Izraelit janë akte terroriste që kryhen para syve të botës”, tha ai.

Ndryshe, më 1 maj të këtij viti Hamasi shpalosi dokumentin politik dhe vizionin e ri të organizatës, i cili, ndër të tjera, parasheh krijimin e shtetit palestinez me kufijtë e vitit 1967 me kryeqytet Jerusalemin dhe kthimin e të dëbuarve palestinezë, gjë e cila u kundërshtua menjëherë nga Izraeli.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne