Trump pritet me protesta përpara shtëpisë së tij në Nju Jork

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet me protesta në Nju Jork, ku ai ka mbërritur në kuadër të një programi dyditor.

Kundër Trumpit është protestuar përpara Trump Tower ku ndodhet shtëpia e tij në Nju Jork, ku ai ka ardhur për herë të parë gjatë detyrës si president.

Kryetarja e Këshillit të Nju Jorkut, Melissa Mark-Viverito, e cila ndodhej mes protestuesve duke iu referuar Trumpit është shprehur se “atij nuk i themi ‘Mirë se Erdhe‘ në Nju Jork”.

Mijëra njujorkezë të cilët kanë nisur protestat në pika të ndryshme për shkak të “shprehjeve për luftë” në çështjen e Koresë së Veriut dhe me nxitjen e sulmit në rajonin Charlottesville të Virginia-s, kanë vazhduar protestat e tyre duke ecur drejt Trump Tower.

Një grup kundër luftës i mbledhur përpara bibliotekës Publike të Nju Jorkut në bulevardin 42 kanë protestuar duke kënduar këngë për “paqe” dhe “dashuri” si dhe kanë brohoritur me sloganet “Jeta e njerëzve me ngjyrë është e çmuar” dhe “Jo Luftës”.

Debate mes protestuesve dhe mbështetësve të Trumpit

Pasi janë mbledhur në bulevardin 5 një pjesë e madhe e të cilit është mbyllur për qarkullimin, protestuesit kanë brohoritur me slogane gjatë ardhjes së Trumpit në Trump Tower. Gjithashtu edhe një grup prej afërsisht 10 personash mbështetës të Trumpit kanë mbajtur në duar pankarta dhe flamuj amerikan. Ndërsa është vërejtur se herë pas here mes grupeve ka patur debate.

Protestat kanë vazhduar deri në orët e vona të natës në rajonin ku policia ka marrë masa intensive të sigurisë.

Ndërsa një maket i fryrë gjigand i Trumpit me kollare të kuqe i cili ishte vendosur në sheshin në juglindje të Central Park ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.

Vizita e Trumpit në Nju Jork të cilën ai e ka cilësuar “pushim pune” pritet të zgjasë dy ditë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne