Trump shton kërcënimet ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump e paralajmëroi Iranin kundër “sulmeve ndaj objektivave të ShBA-së”, duke thënë se nëse Teherani zgjedh ta bëjë këtë, ai do të përballet me një përgjigje të frikshme.

“Një sulm i çfarëdoshëm i Iranit ndaj çdo gjëje amerikane do të përballet me forcë të madhe dhe të pakufizuar”, ka shkruar Trump në postimin që ka bërë në llogarinë e tij në “Twitter” në lidhje me tensionin në rritje mes ShBA-së dhe Iranit.

“Teherani nuk i kupton fjalët mirësi ose bujari. Mjerisht, gjërat që ata kuptojnë janë forca dhe fuqia, dhe SHBA-të janë fuqia ushtarake më e madhe në botë, me 1.5 trilion dollarë të investuara vetëm gjatë dy viteve të fundit”, shkruan Trump në vijim të mesazhit të tij.

“Populli iranian po vuan për shkak të preferencave të gabuara të udhëheqësve të tyre dhe për investimin që bëjnë në terror. Irani është përgjegjës edhe për aktet me eksplozivë që kanë shkaktuar vdekjen e shumë amerikanëve”, thotë presidenti amerikan.

“Deklarata e sotme e Iranit është shumë injorante dhe fyese dhe tregon thjesht se ata nuk po e kuptojnë realitetin. Çdo sulm që do të bëhet nga ana iraniane kundër çdo gjëje amerikane do të përballet me forcë të madhe dhe të pakufizuar, dhe në disa raste, “e pakufizuar do të thotë zhdukje. Tani nuk ka më Jhon Kerry dhe Obama”, ka reaguar Trump.

Të premten presidenti amerikan kishte deklaruar se ai e kishte miratuar një sulm ajror kundër Iranit, por ishte tërhequr kur ishte informuar se në një sulm të tillë do të vdisnin 150 iranianë.

Administrata amerikane pas rrëzimit të një droni ushtarak nga Irani të martën i kishte zgjeruar sanksionet ndaj Teheranit në mënyrë që të përfshijnë edhe liderin fetar të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Kurse Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin kishte njoftuar se brenda kësaj jave ShBA-ja do të fuste në listën e saj të sanksioneve edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Xhevad Zarif.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Musevi kishte thënë se ShBA-ja i kishte mbyllur plotësisht dyert e diplomacisë me sanksionet e saj të fundit duke marrë në shënjestër liderin iranian Khamenei dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Xhevad Zarif.

Tensionet mes ShBA dhe Iranit po rriten që nga viti i kaluar, kur Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 (firmosur midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermaninë dhe BE, i njohur si grupi P5+1).

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Një pjesë e kësaj fushate ka përfshirë ri-vendosjen e sanksioneve të ShBA-së mbi eksportet e naftës së papërpunuar iraniane, e cila e ka çuar në rënie ekonominë iraniane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) gjithashtu kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar një forcë goditëse, taskëforcë bombarduese dhe bateri me raketat “Patriot” dhe kërcënimet e Iranit i përdorin si arsyetim për këto veprime ushtarake.

Administrata Trump kishte njoftuar javën e kaluar se do të dërgonte 1.000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, duke iu referuar sërish kërcënimeve në rritje që vijnë nga Irani./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne