Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një telefonatë me Mbretin e Arabisë Saudite Salman bin Abdulaziz, i ka bërë thirrje Riadit të negociojë me vendet e tjera të Gjirit për të zgjidhur problemet midis tyre.
Zëvendëssekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha në një deklaratë me shkrim se Trump bisedoi në telefon me mbretin Salman bin Abdulaziz.
Gjatë bisedës, Trump ka thënë se vlerëson udhëheqjen e Arabisë Saudite në G-20.
“Presidenti Trump mirëpriti hapjen e hapësirës ajrore saudite për fluturimet midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, që filluan me një fluturim historik komercial nga Tel Avivi në Abu Dhabi javën e kaluar”, tha Deere.
Trump ka nënvizuar marrëveshjen e normalizimit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ka përmendur edhe mënyrat për të rritur sigurinë dhe prosperitetin rajonal.
“Presidenti Trump i kërkoi Arabisë Saudite të negociojë me vendet e tjera të Gjirit për të zgjidhur problemet e tyre”, theksohet më tej në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se Trump ka theksuar “partneritetin e fortë” midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite dhe ka falënderuar mbretin Salman për udhëheqjen e tij./AA