Rajoni Shqiperia

Tsipras tregon kushtin që i ka vënë Ramës: Mbroni të drejtat e minoritetit grek, përndryshe s’ka çelje negociatash

epa06743544 Albanian Prime Minister Edi Rama (L) speaks with Greek Prime Minister Alexis Tsipras during a round table discussion at an informal European Union (EU) summit with Western Balkans countries at the National Palace of Culture in Sofia, Bulgaria, 17 May 2018. EU leaders will discuss European future for Western Balkans, and the response to President Trump's policies on trade and Iran. EPA/VIRGINIA MAYO / POOL

Në një intervistë të gjatë dhënë për prestigjiozen britanike “Financial Times”, kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, teksa ka folur ndër të tjera për rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes për çështjen e emrit me Maqedoninë e Veriut, është ndalur edhe tek marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe problemet e pazgjidhura mes palëve, siç janë: kufijtë detarë, abrogimi i ligjit të luftës nga viti 1945 dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.

Tsipras ka deklaruar se ia ka bërë të qartë homologut shqiptar Edi Rama, se Tirana zyrtare duhet të mbrojë plotësisht të drejtat e minoritetit grek, pasi në të kundërt rruga e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian do të mbyllej. “Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut, Greqia dhe unë personalisht do të mbështes një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë për të filluar proceset e pranimit në BE, së bashku edhe Maqedoninë e Veriut. Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Kjo do të ishte e padrejtë”- është shprehur numri një i ekzekutivit grek.

Tsipras ka shtuar se Greqia nuk dëshiron të marrë rolin e lektorit, duke treguar epërsi apo duke përcaktuar kushte të ngurta për vendet kandidate që presin çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, apo për shtetet e tjera aspirante të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, kreu i “Syriza”, ka theksuar se popujt e Ballkanit kanë nevojë për nxitje në funksion të realizimit të reformave./lapsi

OPINIONE