Rajoni

Tsipras viziton zonën e prekur nga zjarri

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras vizitoi zonën e prekur nga zjarri që u përhap javën e kaluar në afërsi të kryeqytetit të vendit, Athinë dhe që shkaktoi vdekjen e 91 personave.

Në një deklaratë nga Zyra e kryeministrit thuhet se Tsipras ka bërë inspektime në rajonin e prekur nga zjarri.

Ai në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetet sociale tha se në zonën e fatkeqësisë është takuar me banorët dhe ekipet e mbrojtjes civile.

“Jam takuar me një pikëllim dhe respekt të madh me këta persona, të cilët dhanë një luftë të pabarabartë kundër flakëve. Tani po luftojnë për rehabilitim”, tha Tsipras.

Zjarri që shpërtheu më 23 korrik në zonën pyjore 20 kilometra në lindje të Athinës, për shkak të erërave të fuqishme u përhap në rajonet e banuara dhe shkaktoi vdekjen dhe plagosjen e një numri të madh të personave.

Si pasojë e zjarrit rreth 2.000 shtëpi janë dëmtuar ndërsa qindra automjete janë shkrumbuar. Vazhdojnë punimet për gjetjen e 25 personave të zhdukur. (AA)

OPINIONE