Bota

Tubim i madh në Pakistan, dënohet ashpër vendimi i Trumpit për Jeruzalemin

Protestues të shumtë u mblodhën në qytetin pakistanez Rawalpindi për të kundërshtuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit.

Mijëra vetë morën pjesë në demonstratën e së premtes, e cila u organizua nga Jamaat-ud-Dawa (JuD), një organizatë bamirëse e lidhur me Hafiz Saidin, të dyshuarin kryesor në sulmin vdekjeprurës te vitit 2008 në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai.

Said tha për Al Jazeeran se vendimi i SHBA-së për Jeruzalemin, nuk mund të tolerohet “në asnjë menyrë”.

“Ne po përpiqemi ta zgjojmë dhe ta bashkojmë të gjithë komunitetin musliman për ti dërguar një mesazh të fortë Trumpit se muslimanët nuk do ta pranojnë atë në asnjë formë”, tha ai.

Ndër të pranishmit në tubim ishte edhe ambasadori palestinez në Pakistan, Walid Abu Ali.

“Të gjithë pakistanezët e kanë kundërshtuar fuqimisht vendimin e Trump,” tha ai për Al Jazeeran.

“Pakistani është i vetmi vend në botën islame që e ka dënuar zyrtarisht dhe e ka hedhur poshtë këtë vendim, si dhe ka sjellë një rezolutë në parlamentin e vendit kundër këtij akti të papërgjegjshëm”.

Më 6 dhjetor, Trump njoftoi se SHBA do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe do të lëvizë ambasadën e tij në të.

Vendimi nxiti protesta të mëdha në të gjithë territoret e pushtuara palestineze dhe në mbarë botën.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së gjithashtu e dënoi ashpër vendimin, duke e deklaruar atë “të pavlefshëm”, në një votim të datës 21 dhjetor. /Aljazeera/Gazeta Impakt

OPINIONE