Turistët që vijnë në Shqipëri janë pa pretendime

Flet Zak Topuzi, sipërmarrës i Hotel Mondial dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)

“Një turist gjerman, ekspert turizmi, u shpreh: Jeni një vend ekzotik, jeni vendi i fundit në Europë që keni natyrë të virgjër dhe duhet ta ruani. Ish-Jugosllavia dhe Ballkani janë ndryshe nga ju, keni rini të gëzueshme që komunikon shumë gjuhë, një ushqim të mrekullueshëm, njerëz që janë mikpritës dhe të sjellshëm me turistët, mos i humbni këto cilësi.

Por …Keni shumë punë për të bërë”. Kështu shprehet Zak Topuzi, sipërmarrës i Hotel Mondial dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), i cili shton se turistët që po vijnë aktualisht nga Europa Lindore kanë më pak pretendime, përshtaten me gjendjen e infrastrukturës dhe janë një bazë e mirë për të testuar rritjen graduale të standardeve të shërbimeve…

 

Këtë vit ka pasur një rritje të dukshme të fluksit të turistëve të huaj në Shqipëri. Sa e përgatitur ka qenë Shqipëria në këndvështrimin e kapaciteteve akomoduese dhe cilësisë së shërbimit?

Shqipëria ka një numër të kufizuar të kapaciteteve akomoduese, në rreth 67.000 shtretër. Është një shifër e ulët krahasuar me resurset që ofron dhe tregun rajonal. I mungojnë shërbimet për target grupin që shpenzon për turizmin e rërës e detit, ose janë të kufizuara në disa hotele, kryesisht me më pak se 100 dhoma, të cilët nuk punojnë me paketa të plota shërbimesh.

Arsyet janë mungesa e përvojës në turizëm, taksim i lartë, mungesa e një legjislacioni favorizues për investime strategjike në turizëm, mungesa e një vizioni të qartë nga qeveritë gjatë 26 viteve, problemet e pronësisë mbi tokën, mungesës së bazës ligjore, zhvillim kaotik dhe pa standarde i strukturave akomoduse, etj.

Pika më e dobët e mungesës së investimeve të huaja është se mungojnë masterplanet e përgjithshme të integruar dhe strategjitë afatgjata për turizmin. Si rezultat i situatës favorizuese politike, tregu ballkanik po kthehet në markë. Shqipëria zë një pozicion të rëndësishëm në këtë treg dhe kjo ka sjellë një rritje me 10-15% në vit të numrit të turistëve te ne. Ka një vlerësim pozitiv të numrit të turistëve që po vijnë në Shqipëri këtë sezon dhe shpresojmë të ruhet i njëjti trend.

Si e vlerësoni ju angazhimin e qeverisë për të krijuar infrastrukturën e duhur për turistët (pastrimin e plehrave dhe plazheve, furnizimin me energji, rrugët – p.sh., rasti i bllokimit të autobusëve tek Ura e Dajlanit në Durrës)?

Ka një angazhim serioz të qeverisë ndaj turizmit. Gjatë katër viteve, u arrit të hartohej një ligj për turizmin, aktet nënligjore për standardet dhe klasifikimin me yje të njësive akomoduese, certifikimi i guidave, ligji për investimet strategjike në turizëm, etj. Më i rëndësishëm ishte vendimi për të ulur TVSH në 6% për akomodimin, duke e futur Shqipërinë në vendet me interes për investime në këtë sektor. Këto nuk mjaftojnë për një turizëm gjithëvjetor, konkurrues, të qëndrueshëm dhe cilësor.

Problemet që ka Shqipëria (kapacitetet akomoduese dhe infrastruktura e varfër) a rrezikojnë të na kthehen në një bumerang vitin e ardhshëm?

Infrastruktura rrugore ka përmirësime të dukshme, duke tejkaluar një sërë vendesh të rajonit, por është e pafalshme që sot, Shqipëria të vuajë ende menaxhimin e mbeturinave, mungesën e ujit të pijshëm, ndërprerje energjie ose tension të ulët, trajtimin e ujërave të ndotura, mungesën e një transporti publik të standardeve dhe të kthehet çdo vit një në kantier ndërtimi në sezonin pik. Duhet të jetë viti i fundit që këto probleme duhen artikuluar.

A keni bërë ju vëzhgime se cili është perceptimi i turistëve të huaj për Shqipërinë dhe për raportin çmim-cilësi dhe cili është profili i turistëve që po vijnë në Shqipëri?

Ndoshta treguesi më pozitiv për Shqipërinë është perceptimi nga turistët: nisen për ta prekur nga afër si një vend problematik dhe kthehen me një opinion të ndryshuar pozitivisht.

Këtë vit ka pasur një numër të shtuar të turistëve polakë e çekë. A keni informacion nga agjencitë përkatëse se si e vlerësojnë ato turizmin në Shqipëri dhe nëse ka sinjale paraprake për rezervimet e vitit të ardhshëm?

Ka një rritje me dy shifra të turistëve nga vendet e Europës Lindore, duke kaluar në një sezon të shtrirë nga maji deri në shtator. Janë turistë që kanë më pak pretendime, që përshtaten me gjendjen e infrastrukturës dhe janë një bazë e mirë për të testuar rritjen graduale të standardeve të shërbimeve. Për herë të parë, një grup hotelesh me rreth 1000 shtretër (Shkëmbi i Kavajës) arritën të animojnë një zonë me të gjithë shërbimet për paketa FB dhe funksion 365 ditë. Kjo performancë siguroi për 2017-n kontratat për 140 ditë me partnerët çekë e polakë, duke afirmuar një vazhdimësi për vitet në vazhdim.

Ka një interes të shtuar të bizneseve për të investuar në hoteleri. Si i vlerësoni këto investime, a po bëhen sipas standardeve të duhura dhe a rrezikojnë të kthehen në një flluskë nëse do të ketë ulje të fluksit të turistëve vitet e ardhshme për shkak të problemeve me infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimit në raport me çmimet?

VKM për uljen e TVSH në shërbimin e akomodimit në 6% ishte një masë shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në vend. Kjo do të sjellë përmirësim rrënjësor në zhvillimin e turizmit, do ta kthejë Shqipërinë në një treg konkurrues, do të shërbejë për formalizimin e tregut, do të shërbejë për rritjen e investimeve në sektorin e Akomodimit, kryesisht Resorte e hotele që ofrojnë paketa të plota shërbimesh. Do t’i shërbejë zgjatjes së zezonit turistik, që është shqetësim madhor i Organizatës Botërore të Turizmit. Shqipëria është konkurruese me çmimet, në raport me cilësinë e shërbimit. Ulja e TVSH-së në 6% dhe aksioni për të standardizuar e për të klasifikuar me Yje industrinë akomoduese do të bëjë të mundur që ne të konkurrojmë realisht në tregun ballkanik.

Shqipëria ka afërsisht 4000 njësi akomoduese, nga të cilat rreth 1300 hotele. Rreth 80% janë hotele deri 5-20 dhoma, 13% me 20-40 dhoma dhe vetëm 7% hotele me mbi 40 dhoma. Rreth 83% janë hotele në bregdet dhe sezonalë. Jemi në fazën e mundësisë për të investuar në këtë fushë, gjithmonë duke treguar kujdes, pasi strategjitë e turizmit, hartuar nga ekspertët më të mirë gjermanë, nuk japin shumë mundësi për hotele dhe resorte të mëdha. Kujdes duhet të tregohet në Tiranë, pasi ka një tendencë për të ndërtuar hotele me pesë yje, kur tregu për këtë kategori biznesi është i kufizuar. Sipas ekspertit italian, Alfonso Fasola, Italia, sot ka 0,25% hotele me pesë yje dhe vetëm 5,9% me katër yje. Në Tiranë, kjo kategori arrin sot në 56% të kapaciteteve.

Cilat janë avantazhet kryesore të turizmit shqiptar dhe si mund t’i zhvillojmë ato në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Opinioni i turistëve është përgjithësisht i mirë, janë të mahnitur nga bukuritë e Alpeve dhe bregdeti shqiptar, të mrekulluar nga gatimi, të befasuar nga mikpritja, sjellja ndaj të huajve. Një turist gjerman, ekspert turizmi, u shpreh: Jeni një vend ekzotik, jeni vendi i fundit në Europë që keni natyrë të virgjër dhe duhet ta ruani.
Ish-Jugosllavia dhe Ballkani janë ndryshe nga ju, keni rini të gëzueshme që komunikon shumë gjuhë, një ushqim të mrekullueshëm, njerëz që janë mikpritës dhe të sjellshëm me turistët, mos i humbni këto cilësi. Por …Keni shumë punë për të bërë…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne