Turqi, 20 sauditë akuzohen për vrasjen e Khashoggit

Një gjykatë turke të shtunën pranoi aktakuzën për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018 në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Aktakuza prej 117 faqesh e përgatitur nga prokurorët e Stambollit e cila akuzon 20 shtetas sauditë për përfshirje në vrasjen e rëndë me paramendim, u pranua nga Gjykata e 11-të e Krimeve të Rënda në Stamboll.

Kolumnisti gazetës amerikane “The Washington Post”, Jamal Khashogi, u vra dhe më pas trupi i tij u coptua nga një grup operativësh sauditë menjëherë pas hyrjes së tij në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor 2018.

Trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Khashoggi, sipas raportimeve të OKB-së dhe organizatave të tjera të pavarura, supozohet se është vrarë me urdhër të Princit të Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Në aktakuzë thuhet se i dyshuari Mansour Othman M. Abbahussain, duke punuar si gjeneral major dhe oficer i inteligjencës në Arabinë Saudite, ishte ngarkuar me detyrë në zyrën e princit të kurorës Mohammed Bin Salman dhe ishte udhëzuar nga Ahmed Bin Mohamed Al-Asiri për të sjellë Khashoggin përsëri në vend dhe për ta vrarë nëse do të rezistonte, duke shtuar se Abbahussain mblodhi një skuadër me 15 persona, përfshirë edhe veten, për vrasjen.

Ai gjithashtu shpërndau detyrat midis skuadrës, duke i ndarë ato në tre grupe: inteligjencën, logjistikën dhe negociatat.

Abbahussain përcaktoi gjithashtu vendin për të takuar Khashoggin si zyrë pune në konsullatën e Stambollit dhe bëri plane për të gjitha të papriturat, gjatë dhe pas veprës.

Aktakuza akuzon al-Asiri dhe Saud Al-Qahtani për nxitje për vrasje të qëllimshme përmes torturave dhe kërkon dënime të rënda të përjetshme për të dy.

Në aktakuzë gjithashtu akuzohen 18 shtetas të tjerë sauditë dhe rekomandon dënime të rënda të përjetshme për secilin.

Që të 18 ishin në marrëveshje kolektive për vrasjen e Khashoggit nëse ai refuzonte të kthehej në Arabinë Saudite dhe vepruan me një vendim të ndërsjellë për të kryer krimin, pohon aktakuza.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne