Turqi, drejt fundit procesi i blerjes së raketave ruse S-400

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Ëshëk (Fikri Işık) tha se punimet për blerjen nga Rusia të sistemit të mbrojtjes raketore S-400 janë drejt përfundimit,- por shtoi ai,- ka ende procese që duhen ndjekur nga të dyja vendet.

Ministri Ëshëk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Ankara, ku sqaroi edhe arsyet e orientimit drejt tregut rus.

“Është mëse e qartë që Turqia ka nevojë për një sistem mbrojtës raketor. Por vendet anëtare të NATO-s nuk i kanë paraqitur Turqisë një propozim me kosto efektive. Përveç kësaj nuk kanë pranuar as transferimin e teknologjisë dhe prodhimin e përbashkët”, sqaroi ministri i Mbrojtjes.

“Ne jemi të vetëdijshëm që sistemi me raketat ruse S-400 nuk do të mund të integrohet me sistemin e NATO-s. Nuk kemi ndonjë kërkesë ndaj NATO-s në këtë drejtim, por Aleanca duhet të na mirëkuptojë në këtë pikë. Pra ndërkohë që nuk pranoni të bëni transferim të teknologjisë dhe të jepni oferta me kosto efektive, nuk e keni shansin të thoni ‘nuk mund të blini sisteme jashtë NATO-s’”, shtoi ai.

Ministri Ëshëk tha se objektivi final i Turqisë është që të zhvillojë e prodhojë sistemet e veta të mbrojtjes kundërajrore (raketa me rreze të gjatë veprimi) dhe sistemet raketore, dhe në lidhje me këtë çështje kanë nisur edhe punimet./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne