Turqi – Francë 2-0

Në ndeshjen e tretë të Grupit H për kualifikimet në EURO 2020 ekipi kombëtar turk mundi kampionen e fundit botëror, Francën, me rezultat 2-0.

Pjesën e parë të ndeshjes që u luajt në Konja (Konya) kombëtarja turke e përfundoi me rezultat 2-0 me shënimet e Kaan Ajhan (Ayhan) në minutën e 30-të dhe të Xhengiz Ynder (Cengiz Ünder) në minutën e 40-të.

Pjesa e dytë përfundoi pa shënime për të dy skuadrat dhe kombëtarja turke nga ky takim u nda me fitore 2-0.

Turqia, në ndeshjen e parë në Grupin H mundi Shqipërinë 2-0, pastaj mundi Moldavinë 4-0, ndërsa në ndeshjen e tretë korri fitore ndaj kampiones botërore Francës dhe me fitoren e tretë radhazi zë vendin e parë në grup me 9 pikë.

Ndërkaq Franca, e cila pësoi humbjen e parë në grup, radhitet e dyta me 6 pikë.

Në takimin e parë që u luajt pas 10 vitesh Turqia e mposhti Francën për herë të parë në historinë e saj.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Mehmet Muharrem Kasapollu (Kasapoğlu) dhe kryetari i Federatës Turke të Futbollit, Nihat Ëzdemir (Özdemir) ndeshjen e ndoqën nga tribuna.

Trajneri i skuadrës kombëtare turke të futbollit Shenoll Gynesh (Şenol Güneş) në prononcimin e bërë pas ndeshjes bëri të ditur se me një lojë të mirë fituan 3 pikë, ndërsa tha se “Fituam moral dhe besim, i freskuam sërish shpresat. Shfaqëm një lojë të sigurt, entuziaste dhe të mençur. Franca kishte lojtarë efikas, por ne u treguam më të shkathët. Arritëm një fitore të mirë kundër Francës”.

Duke vënë në dukje se me këtë fitore janë në avantazh në grup, Gynesh tha se edhe ndeshja kundër Islandës është e rëndësishme dhe se duhet të përqendrohen në këtë drejtim.

Ndërkaq trajneri i Francës, Didier Deshamps (Deschamps) tha se “Turqia me performancë që tregoi i meritoi këto 3 pikë. Ne u treguam të pamjaftueshëm. Nuk ishim agresiv, nuk ishim të mjaftueshëm nga aspekti teknik. Turqia me cilësi serioze që shfaqi fitoi në këtë ndeshje. Unë e uroi pafundësisht”.

Në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Grupit H skuadra kombëtare turke të martën më 11 qershor do të takohet me Islandën./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne