Turqi-Greqi, hapen edhe konfliktet fetare

Turqia dhe Greqia duket se janë në garë për të prodhuar sa më shumë probleme në marrëdhëniet me njëra-tjetrën. Përveç tensioneve në Egje që lidhet me kërkimet për naftë dhe gaz, në sipërfaqe kanë dalë çështjet e vjetra me sfond fetar dhe etnik. Konkretisht një vendim i autoriteteve greke që parashikon se myftijtë e pakicës turke në Thrakën Perëndimore duhen zgjedhur nga shteti grek është vlerësuar nga Ankaraja zyrtare si provë e faktit se Greqia po shkel detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Lozanës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy ka deklaruar se ky vendim cenon të drejtat fetare të pakicës turke.

Nga ana tjetër, situata për çështjet e besimit duket se po shërben si levë për politika të tjera. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka kërkuar rihapjen sa më të shpejtë të seminarit teologjik Halki në Stamboll, mbyllur nga autoritetet turke në vitin 1971. Pompeo e ka bërë kërkesën e tij publike gjatë një fjale me rastin e prezantimit të gjetjeve të raportit vjetor të Lirisë Fetare.

Qëndrimi i SHBA-së është parimor, pasi raportet vjetore trajtojnë problemet në mbarë botën, por duhet thënë se ai reflekton edhe tensionet e fundit me Turqinë për shkak të afrimit të saj me Rusinë./respublica

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne