Shefi i Shtabit të Përgjithshëm iranian, gjeneralmajor Muhamed Bakiri në një deklaratë për median iraniane lidhur me kontaktet e tij në Turqi tha se të dyja vendet do të ndajnë informacione dhe do të kenë bashkëpunim operacional në luftën kundër terrorit.
“Në Turqi ne hodhëm themelet e bashkëpunimit ushtarak. Turqia me Iranin do të shkëmbejnë edhe informacionet sekrete”,- sqaroi Shefi i Shtatmadhorisë iraniane.
Gjenerali Bakiri tha se kjo vizitë në Turqi, e organizuar për herë të parë në nivel të shefit të Shtabit të Përgjithshëm pas Revolucionit Islamik në Iran, u realizua me miratimin e udhëheqësit fetar Ajetullah Hamanei.
“Ndërmjet dy vendeve është arritur një konsensus shumë i mirë lidhur me bashkëpunimin ushtarak dhe sigurinë kufitare”,- tha Bakiri dhe shtoi:
“Ramë dakord mbi trajnimin e përbashkët dhe shkëmbimin e studentëve. Flotat e të dyja vendeve do të organizojnë vizita reciproke dhe do të dërgojnë vëzhgues në stërvitjet ushtarake”.
Duke i cilësuar shumë të suksesshme kontaktet në Turqi gjenerali Bakiri tha: “Në kuadër të vizitës në Turqi u hodhën themelet e shumë çështjeve në fushën ushtarake, të mbrojtjes e sigurisë. Ky proces bashkëpunimi do të vazhdojë”.
Bakiri tha se e kishte ftuar homologun turk, gjeneralin Hulusi Akar në Iran për ta “vazhduar këtë bashkëpunimin”, ndërsa shtoi se Iranin do ta vizitojë së shpejti edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).
Në lidhje me planin e administratës kurde në veri të Irakut për të mbajtur një referendum që parashikon pavarësinë nga Iraku, gjenerali Bakri tha se kjo çështje ishte trajtuar në mënyrë të veçantë në takimet që kishte pasur me autoritetet turke.
“Nëse ndodh diçka e tillë, atëherë kjo do të ishte fillimi i një tensioni i ri, nga i cili do të ndikoheshin negativisht edhe vendet fqinje. Kështu që të dyja vendet këmbëngulin se një gjë e tillë nuk është e mundur dhe nuk duhet të bëhet”, tha shefi i shtabit të ushtrisë iraniane./ trt