Turqi, në varrezat e lashta gjendet një shishe me krem për sy

Arkeologët turq kanë gjetur një shishe me krem për sy gjatë eksplorimeve në varrezat e vjetra 2.200 vjeçare në qytetin e vjetër Aizanoi.

Aizanoi është një qytet që ndodhet në zonën e provincës perëndimore Kutahya ndërsa që nga viti 2010 është në listën paraprake të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në këtë zonë ndodhet dhe tempulli i Zeusit, që ishte shenjtëria kryesore në Aizanoi.

Udhëheqësja e ekipit 55 anëtarësh të arekologëve, Elif Özer për AA tha se ekzaminimet kanë zbuluar një sërë njohurish të rëndësishme për mënyrën se si janë varrosur njerëzit.

“Mësuam se njerëzit që kanë jetuar në shekullin e dytë dhe të parë para Krishtit në Aizanoi, janë varrosur në atë mënyrë që paraprakisht trupat janë krematuar. Varrezat janë të vjetra afër 2.200 vite”, ka thënë Özer.

Ajo tha se në një nga varret është gjetur një shishe me krem për sy e quajtur “lykion”. Kremi është përdorur për kurimin e tharjes së syve (xerophthalmia).

“E dimë se ky krem në këtë periudhë Romake është përdorur për të mirëmbajtur lagështinë e syve. Sipas burimeve historike mund të themi se kremëra të tilla kanë përdorur ushtarët”, tha Özer duke shtuar se kremi është gjetur në varrin e një burri për të cilin supozohet të ketë qenë ushtarë.

Duke rikujtuar se njerëzit në periudhat e lashta kanë besuar në vazhdimin e jetës pas vdekjes, Özer tha se ka të ngjarë që familja ia ka vendosur kremin në varr, me bindjen se do të ketë nevoj për të.

Shishja e gjetur është ekspozuar në muzeun arkeologjik në Kutahya.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne