Turqi: Nis mësimi i gjuhës shqipe në shkollat e Izmirit

Gjatë vizitës në Turqi, Ministri i Diasporës, Pandeli Majko është takuar në Ankara me zv/kryeminsitrin turk, Hakan Cavusoglu dhe ministrin e Arsimit Ismet Yılma.
Ky i fundit ka informuar ministrin shqiptar se duke filluar nga muaji prill, në shkollat e qytetit të Izmirit do të fillojë mësimi i gjuhës shqipe.

Dy zyrtarët e vunë theksin tek marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve dhe tek përkrahja e pamohueshme që u kanë dhënë njëri-tjetrit në momente të vështira. Majko i përcolli Zëvendëskryeministrit falënderimet në emër të popullit shqiptar, për ndihmën që ofroi Turqia për banorët e zonave të përmbytura në Shkodër.

Ndërsa vlerësoi përpjekjet e autoriteteve turke në kuadër te ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare tek diaspora jonë atje, Ministri Majko kërkoi bashkëpunimin e tyre në ngritjen e një qendre botimi për librat shqip. Zëvendëskryeministri u shpreh i gatshëm të ndihmojë për realizimin e këtij projekti.

Një takim i rëndësishëm ishte edhe ai me Ministrin e Arsimit Ismet Yilmaz. Ky i fundit informoi ministrin Majko se në muajin prill, në qytetin e Izmirit do të fillojë mësimi i gjuhës shqipe, e cila u përfshi në sistemin shtetëror turk si lëndë mësimore me zgjedhje. Ndërkaq ka filluar edhe shpërndarja falas e teksteve.

Majko kërkoi bashkëpunimin e Ministrisë turke të Arsimit për mundësimin e një sektori të veçantë të librave shqip në libraritë turke, kërkesë e cila u prit pozitivisht. Edhe sipas zotit Yilmaz, një iniciativë e tillë është e nevojshme në një prej shteteve me numrin më të madh të shqiptarëve jashtë vendit.

Ministrat diskutuan për projekte të tjera të përbashkëta në fushën arsimit dhe për nevojën e shkëmbimit të eksperiencave studentore e akademike.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne