Turqi – Paria shtetërore dhe krerët e subjekteve politike dënuan rezolutën e Senatit amerikan

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu reagoi fuqimisht ndaj miratimit në Senatin Amerikan të një projektrezolute, me të cilën njohen ngjarjet armene të vitit 1915 si “genocid”.

“Ata që përdorin historinë për qëllime politike janë frikacakë që nuk duan të përballen me të vërtetën”, deklaroi Çavusoglu.

Në një postim të bërë në llogarinë e tij në median sociale “Twitter”, ministri Çavusoglu tha se “Vendimi i Senatit Amerikan është një demonstrim politik. Nuk është ligjërisht detyrues dhe është i pavlefshëm”.

Ndërkaq edhe ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Donmez dënoi ashpër vendimin në fjalë.

“Shpresoj që ata të kthehen nga këto gabime dhe t’i vendosim në binarë marrëdhëniet tona me këtë vend, me të cilin kemi krijuar marrëdhënie në NATO dhe arena të ndryshme ndërkombëtare për vite me radhë”, bëri të ditur Sonmez.

Edhe Drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun reagoi ndaj vendimit të Senatit Amerikan.

Altun në llogarinë e tij në Twiter e postoi këtë mesazh: “Projekt-ligji i miratuar armen rrezikon të ardhmen e marrëdhënieve tona bilaterale. Sanksionet dhe kërcënimet nuk do të dekurajojnë interesat tona të sigurisë kombëtare”.

Ndërsa zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin tha se “Ne e dënojmë me forcë dhe hedhim poshtë vendimin e Senatit Amerikan. Asnjë dispozitë në këtë vendim nuk do të ndikojë në qëndrimin e drejtë dhe të vendosur të Turqisë”.

Edhe zëvendëskryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Mahir Unal tha se “Ne e dënojmë këtë vendim të marrë në Senatin Amerikan dhe e cilësojmë si të pavlefshëm”.

Krahas AK Partisë edhe krerët e grupeve parlamentare të Partisë Republikane Popullore (CHP), Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe IYI Partisë , e dënuan vendimin në fjalë.

Projektrezoluta në fjalë e paraqitur nga Senatori demokrat i Nju-Xhersit, Bob Menendez dhe Senatori republikan i Teksasit, Ted Cruz u miratua dje në Senatin Amerikan.

Kjo projektrezolutë nuk ka ndonjë detyrim ligjor./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne