Bota

Turqi, rritet në 41 numri i të vdekurve nga tërmeti

Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se si pasojë e tërmetit të fuqishëm që ndodhi të premten në Turqinë lindor, kanë humbur jetën 41 persona, ndërsa janë shpëtuar nga rrënojat 45 të tjerë.

Tërmeti me magnitudë 6,8 ballë tronditi provincën lindore Elazığ mbremjen e së premtes, ndërsa dridhjet u ndien edhe në vendet fqinje, përfshirë Sirinë dhe Gjeorgjinë.

Ekipet tashmë kanë nxjerrë kufomën e fundit të mbetur nën rrënoja, tha në një postim në Twitter Mehmet Güllüoğlu, kreu i AFAD-it.

Më herët, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se 18 persona janë nën kujdes intensiv nëpër spitale.

Sipas AFAD, nga 1.607 personat e lënduar, 1.516 janë liruar nga spitalet, ndërsa 45 persona të bllokuar nën rrënojat e shtëpive dhe ndërtesave janë shpëtuar.

Pas tërmetit 6,8 ballë, në rajon kanë ndodhur 948 dridhje, prej të cilëve 21 me magnitudë mbi 4 ballë./AA

OPINIONE