Bota

Turqi-Rusi i afrohen edhe më shumë marrëveshjes për Idlibin dhe Eufratin

Pas ceremonisë ushtarake, që u organizua të hënë paradite në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare për pritjen e mysafirit nga Moska, Akar dhe Shoygu mbajtën një takim kokë më kokë dhe udhëhoqën takimin mes delegacioneve.

Para fillimit të takimit ministri Akar tha se “Me Rusinë vazhdojnë të kenë kontakte të ndryshme të çdo niveli që kanë për synim edhe vendosjen dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe arritjen e një armëpushimi këtu (në Siri), edhe ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave, si dhe garantimin e sigurisë së dy vendeve”.

“Delegacioni mysafir erdhi në Ankara në vijim të takimit të realizuar më parë në Moskë ndërmjet dy delegacioneve ushtarake”,- u shpreh Akar dhe vijoi: “Takimet që do të zhvillojmë sot në një aspekt do të jenë në cilësinë e punës përgatitore të takimit mes presidentëve, që do të mbahet më 14 shkurt në Soçi. Unë kam bindjen se këto takime kanë shumë vlerë. Ato do të japin kontribute të rëndësishme në paqen dhe stabilitetin e rajonit, por jo vetëm, pasi unë besoj se këto takime do të japin një kontribut të vërtetë edhe në paqen botërore”.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Shoygu shprehu bindjen se me homologun turk do të bisedonte për çështje të rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e Sirisë.

“Kam bindjen se këtu (në Ankara) ne do të përfundojmë punimet paraprake lidhur me çështjet që do të diskutojnë në Soçi kryetarët e shteteve tona”,- nënvizoi ministri i Mbrojtjes së Rusisë.

“Specialistët tanë bënë një punë serioze në Moskë, në datat 31 janar – 2 shkurt dhe arritën të sigurojnë konsensusin në çështje kyçe. Ata punuan kryesisht mbi çështjet që kanë të bëjnë me Idlibin dhe pjesën lindore të lumit Eufrat. Shpresoj se do ta gjejmë konsensusin mbi temat kryesore edhe në kuadër të punimeve që do të bëjmë sot këtu”,- u shpreh Soygu.

Pas prononcimeve takimi mes delegacioneve vazhdoi pa praninë e mediave. Në këtë takim mori pjesë edhe kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar të Turqisë (MIT), Hakan Fidan./ trt

OPINIONE