Turqi, sot inaugurohet autostrada e re Stamboll-Izmir

Me inaugurimin e sotëm, sipas zyrtarëve, autostrada Stamboll-Izmir, punimet e së cilës filluan në vitin 2010 dhe e cila përfshin një distancë totale prej 404 kilometrash, do të jetë një nga arteriet kryesore të transportit të Turqisë, që lidh rajonin e Marmarasë me Egjeun, Mesdheun Perëndimor, dhe rajonet perëndimore të Anadollit.

Ura Osmangazi, pjesë kyçe e projektit, u hap në vitin 2016 dhe ka shkurtuar udhëtimin për një orë e gjysmë.

Deri më tani, udhëtimi Stamboll-Izmir bëhej përmes rrugës aktuale e cila është e gjatë 515 kilometra.

Shkurtimi i kohës së udhëtimit midis Stambollit dhe Izmirit në më pak se gjysma e kohëzgjatjes aktuale pritet t’u kursejë udhëtarëve kohë dhe para.

Kostoja prej shtatë miliardë dollarësh e projektit është paguar nga kompania e cila do të jetë operator i autostradës për një periudhë të pacaktuar kohore, dhe nuk janë përdorur fonde publike për procesin e ndërtimit.

Mega-projekti siguroi punë për rreth 5.000 njerëz gjatë ndërtimit dhe do të vazhdojë të sigurojë 1.000 vende pune në mirëmbajtje dhe shërbime operative./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne