Turqia: Amerika pasi ngeli vetëm, tani po kërcënon gjithë botën për Jeruzalemin

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për shkak të kërcënimeve ndaj anëtarëve të OKB-së, të cilat po mbështesin projekt-rezolutën me të cilën hedhet poshtë vendimi i Presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Duke folur para udhëtimit në Nju Jork në seancën e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Jeruzalemin, Cavusoglu tha se Turqia pret një mbështetje për projekt-rezolutën jo vetëm të muslimanëve, por edhe të krishterëve dhe hebrenjve të ndikuar nga akti i Uashingtonit.

“Çdo person i vetëdijshëm e kundërshton këtë vendim të paligjshëm dhe të padrejtë. Megjithatë, po shohim përpara votimit se Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë mbetur të vetmuara, tani kanë vendosur të përdorin metoda kërcënimi”, tha Cavusoglu.

Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, paralajmëroi të martën se do të denoncojë te Trump-i të gjithë emrat e atyre që mbështesin projekt-rezolutën kundër vendimit të tij.

“Çfarë do të bëni kur të shkruani se kush ishte kundër tij? A do t’i ndëshkoni edhe ato shtete? Bota tani është kundër padrejtësisë. Asnjë shtet me dinjitet nuk do të durojë një shtypje të tillë. Askush nuk do të gjunjëzohet para këtij presioni”, tha shefi i diplomacisë turke.

Duke i bërë thirrje Uashingtonit që të ndalojë këtë taktikë, Cavusoglu tha, “Nesër do të jemi dëshmitarë të një ngjarjeje historike”.

Organizata Çlirimtare Palestineze reagoi ndaj kërcënimit të Trump-it se SHBA do të shkurtojë ndihmën ndaj vendeve që votojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kundër vendimit të tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

“Presidenti Trump duhet të dijë se ka gjëra që nuk janë për shitje, e as subjekt i kërcënimit, veçanërisht gjërat që kanë të bëjnë me parimet, ligjshmërinë dhe moralin”, tha një deklaratë e nënshkruar nga anëtari i Komisionit Ekzekutiv të PLO Hanan Ashrawi.

Ai gjithashtu shtoi se Shtetet e Bashkuara vetëm sa do të izolohen për shkak të praktikave dhe politikave të tilla në nivel global.

“Kërcënimi është mënyra më efektive për Shtetet e Bashkuara që të vetë-izolohen më tej dhe të dobësojnë ndikimin dhe reputacionin e saj në nivel ndërkombëtar”, shton deklarata.

Trump njoftoi një njohje formale të Jerusalemit si kryeqytetin izraelit më 6 dhjetor, dhe provokoi një valë protestash anembanë botës. Komuniteti ndërkombëtar e ka hedhur poshtë këtë veprim, duke thënë se është e dëmshme për procesin e paqes midis palestinezëve dhe Izraelit.

Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm. 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne