Turqia dënon ashpër sulmin e Armenisë ndaj qytetit azerbajxhanas

Turqia dënoi ashpër sulmin e fundit të Armenisë ndaj qytetit të dytë më të madh të Azerbajxhanit, Ganja, përkundër shpalljes së një armëpushimi.

Sulmi ndaj vendbanimeve civile që shkaktoi viktima është “një shembull i ri i provokimeve nga qeveria armene për të përhapur konfliktin përtej territoreve të pushtuara të Azerbajxhanit”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Me sulmin e fundit ndaj civilëve, tha ajo, Armenia ka zbuluar se nuk ka asnjë problem “në shkeljen e ligjit ndërkombëtar humanitar” dhe nuk e kupton se çfarë është armëpushimi.

Ministria i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë paligjshmërinë e Armenisë, duke thënë se ajo është një reflektim i qartë i mendësisë së saj pushtuese dhe agresive.

Ndryshe, Armenia sot sulmoi me raketa qytetin azerbajxhanas Ganja, duke shkaktuar 9 të vdekur dhe 34 të plagosur, ende pa kaluar 24 orë nga armëpushimi i përkohshëm që hyri në fuqi dje.

Armenia dhe Azerbajxhani në një takim në Moskë ranë dakord që nga 10 tetori në mesditë të shpallet armëpushim për qëllime humanitare për shkëmbimin e të burgosurve dhe trupave të të vrarëve.

Më herët, Kryeprokuroria e Azerbajxhanit tha se që nga 27 shtatori, kur filluan përleshjet e fundit, të paktën 41 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të Armenisë me artileri dhe raketa ndaj vendbanimeve civile.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne