Një gjykatë turke ka dhënë dënime me burgim të përjetshëm për 15 ushtarakë për rolin e tyre në një grusht ushtarak të dështuar në korrik 2016 në Turqi.
Agjencia e lajmeve Anadolu, bëri të ditur se gjykata në qarkun Silivri, jashtë Stambollit, dënoi të mërkurën 15 oficerë, të akuzuar si “pjesëmarrës në një përpjekje për të pushtuar” zyrat provinciale të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet. Rasti është një nga mijëra dosje kundër njerëzve të dyshuar për përfshirje në grusht-shtetin e 15 korrikut 2016 për të rrëzuar Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Qeveria turke akuzon klerin amerikan Fethullah Gulen se ka orkestruar përpjekjen e grushtit të shtetit. Turqia i ka bërë thirrje Uashingtonit të ekstradojë Gulen, por kërkesa nuk është marrë parasysh nga SHBA. Në një fushatë spastrimi pas grushtit të shtetit, Turqia ka pezulluar ose shkarkuar më shumë se 150,000 gjykatës, policë, mësues dhe shërbyes civilë dhe ka arrestuar mbi 55,000 të tjerë. Shumë grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, kanë denoncuar reprezaljen e rëndë të Ankarasë./ PT