Turqia dënon gjuhën kërcënuese të SHBA-së për Programin F-35

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë publikoi një njoftim për shtyp rreth Aktit të Autorizimit Kombëtar të Mbrojtjes për vitin fiskal 2020, miratuar në Kongresin amerikan.

“Drafti i Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2020, i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin e SHBA-së, përfshin edhe një tjetër herë aspekte armiqësore kundër Turqisë. Kongresistët që kërkojnë të lajnë hesapet e brendshme politike duke vepruar nën ndikimin e qarqeve antiturke, vazhdojnë të minojnë vizionin për të përmirësuar marrëdhëniet tona me SHBA-në.

Ky projektligj demonstron se Kongresi vazhdon të mos respektojë vendimet sovrane të Turqisë dhe të miratojë një qëndrim armiqësor irracional duke bllokuar padrejtësisht pjesëmarrjen tonë në Programin F-35, pavarësisht se Turqia ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj, duke rinovuar thirrjet për të zbatuar sanksione në kontekstin e blerjes së sistemeve S-400 dhe duke përfshirë referencat për projektin «Rryma Turke».

Për më tepër, përpjekjet për të hequr embargon e armëve amerikane në ishullin e Qipros, në favor të administratës grekoqipriote, nuk do të kenë rezultat tjetër përveçse pengimit të përpjekjeve drejt një zgjidhjeje në Ishull dhe krijimit të një përshkallëzimi të rrezikshëm.

Kujtojmë edhe një herë se gjuha e kërcënimeve dhe sanksioneve nuk do ta dekurajojë kurrë Turqinë të ndërmarrë hapa me vendosmëri për të garantuar sigurinë e saj kombëtare. Askush nuk duhet të dyshojë se do të merren masa të nevojshme kundër këtyre iniciativave që synojnë Turqinë”, thuhet në komunikatën e MPJ turke.

Akti i Autorizimit Kombëtar të Mbrojtjes për vitin fiskal 2020, një buxhet i përbashkët mbrojtës, përgatitur nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve  në SHBA, propozon ndarjen e një fondi prej 440 milionë dollarësh për Pentagonin për të blerë avionët F-35 të porositur nga Turqia si pjesë e modernizimit të mbrojtjes kombëtare, si dhe masa detyruese ndaj Turqisë e personave dhe institucioneve të lidhura me projektet gazsjellëse “Rryma Turke” dhe “Rryma e Veriut 2” në kuadër të Aktit të Kundërpërgjigjes ndaj Rivalëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA)./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne