Turqia dhe SHBA do të diskutojnë për zonën e sigurtë në Siri

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar dhe Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Mark Esper përmes telefonit do të diskutojnë planet e zonave të sigurta në Siri, bëri të ditur sot Ministria turke e Mbrojtjes.

“Fatkeqësisht, jemi shumë larg pritjeve tona lidhur me krijimin e zonës së sigurtë. Ne po përpiqemi çdo mënyrë me durim për të zgjidhur problemin përgjatë kufirit me aleatët tanë”, tha Akar.

Akar gjithashtu tha se ata do të vlerësojnë situatën dhe do të shkëmbejnë mendime me homologun e SHBA-ve, Esper.

“Siç kemi përmendur edhe më parë, ne kemi përfunduar përgatitjet tona në rast të ndonjë mundësie. Planet tona janë të gatshme”, shtoi Akar.

Zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë më 7 gusht u pajtuan për të krijuar zonë të sigurtë në veri të Sirisë dhe për të zhvilluar një korridor paqeje për të lehtësuar lëvizjen e sirianëve të zhvendosur që duan të kthehen në atdheun e tyre.

Udhëheqësit turq janë shprehur se SHBA-të nuk po bëjnë sa duhet për të krijuar zonën, e cila mund të strehojë rreth 2-3 milionë sirianë që u arratisën nga lufta civile siriane që nga viti 2011.

Turqia momentalisht strehon rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër i botës. Sipas zyrtarëve, Ankaraja deri më tani ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne