Turqia dislokon 5000 trupa në Katar

Gazeta turke Sozcu ka njoftuar se qeveria e Ankarasë po përgatit një plan për të dërguar pesë m ijë trupa në Katar.

Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë miratoi të mërkurën vonë dy marrëveshje ushtarake me Katarin, një lëvizje që vjen vetëm disa ditë pasi disa shtete të Gjirit ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Dohën. Marrëveshja e parë i mundëson ushtrisë turke që të dislokojë trupa në Katari, ndërsa e dyta i autorizon ekspertët e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë së Turqisë që të stërvitin Forcat e Sigurisë së Brendshme të Shtetit të Katarit në territoret e këtij vendi. Në këtë mënyrë, njësitë ushtarake turke do të mund të dislokohen në Katar dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë. Të hënën, pesë vende arabe – Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Jemeni – ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin duke akuzuar Dohën për mbështetje të terrorizmit. Katari mohoi akuzat duke thënë se masa në fjalë ishte “e pajustifikuar”. Tensionimi u përshkallëzua dy javë pasi uebfaqja e agjencisë zyrtare të lajmeve të Katarit dyshohet të jetë bërë pre e një sulmi kibernetik nga individë të panjohur, të cilët njoftohet të kenë publikuar deklarata që i atribuohen Emirit kataras, Sheik Tamim bin Hamad al-Thani. Incidenti shkaktoi një konflikt diplomatik midis Katarit dhe fqinjëve të tij./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne