Turqia do të dërgojë ilaçe në Venezuelë

I ndodhur në Buenos-Ajres të Argjentinës për të marrë pjesë në Konferencën e 21-të Interamerikane, Kerem Kënëk (Kınık) mori pjesë në iftarin e shtruar në rezidencën e Ambasadorit të Turqisë në Buenos-Ajres, Shefik Vurall Alltaj (Şefik Vural Altay).

Në deklaratat që bëri këtu Kënëk tha se Gjysmëhëna e Kuqe Turke është aktive edhe në rajonin e Amerikës dhe shtoi: “Në veçanti në rastet e fatkeqësive natyrore ne punojmë në të gjitha rajonet. Kemi punuar në Haiti, në Meksikë, në Guatemalë pas shpërthimit të vullkanit. Për momentin kolegët tanë ndodhen në Surinam me rastin e muajit të Ramazanit, ku po shpërndajnë ushqime, shtrojnë iftare për jetimët. Madje në vendet ku transporti tokësor është i pamundur, ata shkojnë me rrugë detare”.

Kënëk theksoi se tensioni në Venezuelë pengon hyrjen e ndihmave mjekësore dhe humanitare në vend.

“Në fazën e parë ne do të dërgojmë përmes Panamasë në Venezuelë 100 mijë dollarë ilaçe. Kjo ndihmë do të bëhet brenda një kohe sa më të shkurtër. Në procesin në vijim ne do të dërgojmë në Venezuelë edhe ndihma humanitare nëse hapen korridoret për lejimin e hyrjes së ndihmave në këtë vend”,- sqaroi Kënëk.

Drejtori i Gjysmëhënës së Kuqe Turke tha se edhe në Kolumbi ka shumë njerëz në nevojë.

“Gjithashtu në Kolumbi, një vend që është në pikën e luftës civile dhe procesit të paqes, bëhet fjalë për një nevojë serioze për ndihma humanitare. 6 milionë njerëz kanë nevojë për ndihma humanitare. Nga ana tjetër 1,9 milionë njerëz kanë kaluar nga Venezuela në Kolumbi dhe kanë nevojë për ndihma. Ata duan të përfitojnë nga përvoja e Turqisë në fushën e menaxhimit të fatkeqësive dhe valës së refugjatëve. Bashkëpunimin me të dyja vendet ne do ta vazhdojmë duke nënshkruar marrëveshje”, përfundoi Kënëk./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne