Turqia do të ndihmojë Bosnjë e Hercegovinën në luftën kundër COVID-19

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë të ditur se Turqia do të sigurojë ndihmë mjekësore dhe profesionale, si dhe mbështetje në blerjen e mallrave thelbësore për Bosnjë e Hercegovinën në mes të shpërthimit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një bisedë me Bisera Turkoviç, homologen e tij nga Bosnjë e Hercegovina, ministri Çavuşoğlu tha se vendi i tij do të mbështesë përpjekjet e Bosnjë e Hercegovinës për të luftuar shpërthimin e koronavirusit në vend.

Turkoviç falëderoi Turqinë që është ndër vendet e para që ndihmon Bosnjë e Hercegovinën me pajisje mjekësore.

Bosnjë e Hercegovina deri më tani ka konfirmuar gjithsej 770 raste të koronavirusit, me 33 viktima.

Në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, qeveria e këtij vendi ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka imponuar kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 20:00 deri në orën 05:00.

Vendi po ashtu ka mbyllur kufijtë, si dhe shkollat, kolegjet, sallat sportive dhe palestrat.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi me epiqendër të re Evropën.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.3 milionë, me mbi 76 mijë vdekje dhe mbi 292 mijë të shëruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne