“Turqia do të vazhdojë ta mbrojë kauzën palestineze”

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, premtoi se deri në fund do ta mbrojë kauzën e drejtë të palestinezëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklarata e ministrit Çavuşoğlu erdhi pas samitit emergjent të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në Xhide të Arabisë Saudite, i cili u mbajt si rezultat i komenteve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për aneksimin e disa territoreve në Bregun Perëndimor të pushtuar nëse fiton zgjedhjet e 17 shtatorit, përfshirë Luginën e Jordanit dhe veriun e Detit të Vdekur.

“Ata që ndihen të shqetësuar nga deklarata jonë sot, masakrojnë brutalisht dhe pa bërë dallim vëllezërit dhe motrat tona palestineze, ushtrojnë me egërsi terror shtetëror para syve të botës dhe madje përpiqen të sulmojnë pa turp presidentin tonë. Do ta mbrojmë këtë kauzë të drejtë deri në fund”, shkroi Çavuşoğlu në Twitter.

Rreth 70.000 palestinezë, së bashku me rreth 9.500 kolonë hebrenj, aktualisht jetojnë në Luginën e Jordanit, e cila është një tokë e madhe dhe pjellore, që përbën afërsisht një të katërtën e territorit të përgjithshëm të Bregut Perëndimor.

Turqia, Liga Arabe dhe vendet evropiane janë shprehur të shqetësuar nga deklarata e Netanyahut, ndërkohë që zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric ka thënë se plani i aneksimit do të shkelte të drejtën ndërkombëtare.

E drejta ndërkombëtare i cilëson Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si “territore të pushtuara” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve kolone hebreje atje si të paligjshme./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne