“Turqia do të zbatojë planet e saj nëse marrëveshja për zonën e lirë dështon”

Turqia do të zbatojë planet e veta të veprimit nëse brenda dy javësh nuk ka rezultate nga marrëveshja me SHBA-në për zonën e sigurt në Siri, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Komentet e presidentit Erdogan erdhën gjatë një ceremonie të nisjes së vitit akademik 2019-2020 në Qendrën Kombëtare të Kongreseve dhe Kulturës të Beştepe-së në Ankarë.

“Nëse brenda dy javëve nuk kemi ndonjë rezultat, atëherë ne do të zbatojmë planet tona të veprimit”, theksoi Erdogan.

Duke iu referuar marrëveshjes midis Turqisë dhe SHBA-së për formimin e një zone të sigurt në veri të Sirisë për të mundësuar kthimin e sirianëve të zhvendosur, Erdogan tha se “Dy ose tre milionë refugjatë sirianë në Turqi dhe Evropë mund të rivendosen në zonën e sigurt në lindje të Eufratit në Sirinë veriore”.

Presidenti turk kërkoi “mbështetje konkrete” nga vendet evropiane në lidhje me Idlibin dhe zonën e sigurt në lindje të Eufratit.

“Turqia nuk ka më nevojë për fjalë”, shtoi ai.

“Turqia strehon 3,6 milionë refugjatë. Kjo nuk ka precedent në botë. Edhe Perëndimi duhej të bënte të njëjtën gjë”, tha më tej Erdogan, duke shtuar se “Turqia nuk mund të marrë përsipër përgjegjësinë e katër milionë sirianëve nëse nuk garantojmë paqen në Idlib menjëherë”.

Më 7 gusht, zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë ranë dakord të krijojnë një zonë të sigurt në veri të Sirisë dhe një korridor paqeje për të lehtësuar lëvizjen e sirianëve të zhvendosur që duan të kthehen në shtëpi. Ata gjithashtu ranë dakord të krijojnë një qendër të përbashkët operative.

Marrëveshja gjithashtu parashikonte vendosjen e masave të nevojshme të sigurisë për të mënjanuar shqetësimet e Turqisë rreth sigurisë, duke përfshirë pastrimin e zonës nga organizata terroriste YPG/PKK, grup të cilin SHBA e ka cilësuar si aleat nën pretekstin e luftës kundër DEASH-it.

Ankaraja ka akuzuar Washingtonin për zvarritje të procesit dhe përvetësim të një koncepti të ndryshëm për zonën e sigurt./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne