Turqia do t’i dërgojë ndihmë mjekësore Izraelit dhe Palestinës

Turqia do të dërgojë ndihmë mjekësore në Izrael dhe Palestinë për t’i ndihmuar në luftën e tyre kundër koronavirusit, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

“Pati një kërkesë për ndihmë mjekësore nga Izraeli dhe do të përmbushet brenda pak ditësh. Ne njëkohësisht do të dërgojmë furnizime mjekësore në Palestinë”, tha Ibrahim Kalin për “CNN Turk”.

Kalin tha se kërkesa për ilaçe nga Armenia gjithashtu u miratua nga presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe se ajo aktualisht është në proces nga Ministria e Shëndetësisë.

Ankaraja po ndihmon shtete të shumta për të kapërcyer pandeminë e COVID-19. Deri më tani ajo ka dërguar ndihma për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë, si dhe Libinë, Italinë, Spanjën dhe Brianinë.

Turqia, tha Kalın, ka një infrastrukturë të fuqishme në shumë fusha, duke përfshirë bujqësinë, shërbimet e kujdesit shëndetësor, komunikimin dhe sigurinë.

“Unë besoj se ne do ta kapërcejmë procesin e rimëkëmbjes shumë shpejt. Turqia është në një pozitë të mirë për sa u përket furnizimeve mjekësore, sigurisë kibernetike dhe sigurisë ushqimore”, shtoi ai.

Zëdhënësi përjashtoi mundësinë e ndonjë marrëveshjeje huazimi me FMN-në, e cila ofron kredi të reja për ekonomitë në mes të pasojave të shkaktuara nga pandemia.

“Në aspektin e kontributit në rimëkëmbjen e ekonomisë globale, FMN, Banka Botërore, vendet e G20-tës, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe vendet individuale, natyrisht që do të kryejnë detyrat e tyre. Megjithatë, Turqia nuk është duke kërkuar marrëveshje me FMN-në”, tha ai.

Turqia ka konfirmuar gjithsej 1.101 vdekje nga virusi që u zbulua për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar, ndërsa të paktën 52.167 kanë rezultuar pozitivë, sipas shifrave zyrtare.

Në përgjithësi, sëmundja ka infektuar më shumë se 1,78 milion njerëz dhe numri i vdekjeve është afër 110.000 në gjithë botën, ndërsa pothuajse 410.000 janë shëruar, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne