“Turqia e sheh si një përparësi strategjike anëtarësimin në BE”

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın tha se Turqia e sheh si një përparësi strategjike anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se liderët e BE-së këtë marrëdhënie duhet ta shohin me një mendje strategjike.

Kalın zhvilloi një vizitë në Bruksel para Samitit të Liderëve të BE-së që do të zhvillohet më 10-11 dhjetor.

Në kuadër të vizitës së tij, Kalın u takua me Maryam Van den Heuvel, kryekëshilltaren për politikën e jashtme të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, me Bjoern Seibert shefin e kabinetit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me Helga Schmid sekretaren e përgjithshme të shërbimit për marrëdhënieve me jashtë të BE-së.

Në bisedimet ku u diskutuan çështje të tilla si marrëdhëniet Turqi-BE, Mesdheu Lindor, Libia, Siria dhe Karabaku, zëdhënësi Kalın përsëriti se duhet të ndërmerren hapa konkretë në fushat për përditësimin e Unionit Doganor, marrëveshjen e migracionit, liberalizimin e vizave dhe dialogun politik.

Kalın nënvizoi nevojën për ide të reja për zgjidhje të drejtë dhe të përhershme në Qipro dhe se Turqia është e gatshme të fillojë bisedime eksploruese me Greqinë. Po ashtu Kalın u ka përcjellë bashkëbiseduesve të tij se Turqia do të vazhdojë qëndrimin e saj konstruktiv për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin.

“Rëndësia e marrëdhënieve strategjike Turqi-BE po rritet gjithnjë e më shumë”, tha Kalın, i cili shtoi se ka nevojë për hapa të rinj dhe konkretë që do t’u ofrojnë një dinamizëm të ri marrëdhënieve Turqi-BE dhe të cilët do të rrisin bashkëpunimin dhe do të forcojnë marrëdhënien e besimit reciprok.

Ai potencoi se BE-ja duhet të përmbushë përgjegjësitë që ka mbi çështjet rajonale dhe që dialogu dhe bashkëpunimi për zgjidhjen e problemeve rajonale është në interesin e të gjitha palëve.

Duke vënë theksin se Turqia e sheh si një përparësi strategjike anëtarësimin në BE, zëdhënësi Kalın tha se duke lënë mënjanë paragjykimet politike liderët e BE-së duhet ta shohin me një mendje strategjike marrëdhënien Turqi-BE.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se nuk duhet të lejohet që mosmarrëveshjet dypalëshe të marrin peng dhe të lodhin marrëdhëniet Turqi-BE, Kalın vuri theksin mbi rëndësinë që të kalohet sa më parë në axhendë pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE, rëndësia strategjike e së cilës sa vjen e rritet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne