Bota

Turqia “e shqetësuar” nga fjalimet e AIPAC-ut për Jerusalemin

“Ne jemi të shqetësuar nga deklaratat e papërgjegjshme të udhëheqësve të disa shteteve të caktuara në konferencën vjetore të Komitetit Amerikano-Izrael të Çështjeve Publike, që u mbajt dje në Uashington, për transferimin në Jerusalem të ambasadave të tyre në Izrael”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtmet të Turqisë, Hami Aksoy, përmes një komunikate me shkrim.

Ai theksoi se zhvendosja në Jerusalem e ambasadës së ndonjë vendi në Izrael “do të përbënte një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.

Zëdhënësi i MPJ turke rikujtoi se aneksimi i Jerusalemit nga Izraeli është refuzuar nga shoqëria ndërkombëtare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara gjithashtu.

“Është theksuar në mënyrë të përsëritur nga rezolutat e ndryshme të OKB-së se çështja e Palestinës mund të zgjidhet vetëm me themelimin e një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe kufitar, bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Ne ftojmë të gjitha vendet që të pajtohen me rezolutat e OKB-së për këtë çështje, të respektojnë statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit, si dhe të shmangin hapat që do të destabilizonin më tej rajonin tonë”, shtoi Aksoy.

Takimi vjetor i AIPAC-ut, një nga organizatat lobuese proizraelite më të fuqishme në SHBA, nisi të dielën. I konsideruar si “takimi më i madh i lëvizjes proizraelite në vend”, ai do të zgjasë 3 ditë dhe do të presë mijëra pjesëmarrës.

Në mbledhjen e sivjetme, e cila gëzon po ashtu mbështetjen e shumicës së ligjvënësve republikanë dhe demokratë të Kongresit amerikan, krahas pasqyrimeve ndërkombëtare të njohjes së njëanshme nga SHBA-ja të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit dhe i Lartësive të Golanit si territore izraelite, pritet të diskutohet edhe çështja e sigurisë së Izraelit.

Më 6 dhjetor 2017, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njohu në mënyrë të njëanshme Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit duke ngjallur një reagim dhe indinjatë të fortë në mbarë botë. Ndërsa në maj të 2018-s ai zhvendosi në Jerusalem Ambasadën e SHBA-së në Tel-Aviv.

Guatemala po ashtu ka ndjekur gjurmët e SHBA-së duke zhvendosur ambasadën e saj në qytetin e pushtuar.

Jerusalemi mbetet në thelb të konfliktit Izrael-Palestinë, me këtë të fundit që shpreson se Jerusalemi Lindor – tani i pushtuar nga Izraeli – mund të shërbejë një ditë si kryeqytet i një shteti të ardhshëm palestinez./ trt

OPINIONE