“Turqia është e vendosur për të vazhduar operacionin Burimi i Paqes”

Turqia është e vendosur të vazhdojë operacionin “Burimi i Paqes” në Sirinë veriore me qëllim të pastrimit të kufirit të saj nga terroristë e YPG/PKK dhe të mundësojë kthim të sigurtë për refugjatët sirianë, tha këshilltarja e lartë presidenciale, Gülnur Aybet, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë dhënë për “Fox Newa Channel” të dielën, Aybet u përgjigj pretendimeve se gjoja forcat turke kanë sulmuar ushtarët e SHBA-ve gjatë operacionit në vijim, si dhe dezinformatave rreth operacionit.

“Ne jemi shumë të vendosur (lidhur me zhvillimin e operacionit) sepse kemi dy objektiva. Njëra është që të pastrojmë kufirin nga ky grup terrorist-YPG, që është ekuivalente me PKK, dhe e cila është e njohur si organizatë terroriste nga SHBA dhe BE”, tha Aybet.

“Objektivi i dytë është në të vërtet të sigurojmë kthimin e rreth një deri dy milion refugjatëve sirianë. Prej të cilëve ne aktualisht kemi strehuar rreth 4 milionë në vendin tonë”, theksoi ajo.

Duke theksuar se YPG “ka pushtuar një pjesë të madhe të Sirisë verilindore pas politikave të SHBA-së për armatosjen e tyre”, ajo tha se armatosja e një grupi terrorist për të luftuar një grup tjetër terrorist ishte një politikë “e konceptuar keq”.

“Jemi shumë të zhgënjyer se ju ende bashkëpunoni me YPG-në jashtë zonës së operacionit tonë. Ne mendojmë se ju duhet të ndaloni (këtë politikë)”, tha Aybet.

“Ata (DEASH) u lejuan të rritën nën vëzhgimin e YPG-së, e cila në të vërtet mundësoi arratisjen e qindra pjesëtarëve të tyre nga Raqqa”, vazhdoi ajo.

“Ne për fat të keq nuk u përfshimë në Raqqa. Kërkuam nga amerikanët të ishin me ne, por ata nuk pranuan. Ata zgjodhën këtë ta bëjnë me grupin terrorist. Unë mendoj se opinioni publik amerikan ka të drejtë të dijë këtë, a nuk mendoni ju kështu?”, tha këshilltarja presidenciale.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, “pati të drejtë kur kërkoi kthimin në shtëpi të trupave amerikane, pasi ata me të padrejtë ishin pengje të një politike të keqe të trashëguar nga administrata e kaluar, duke armatosur një grup terrorist YPG për të luftuar një tjetër”, tha Aybet.

Duke iu përgjigjur pretendimeve se forcat turke kanë sulmuar ushtarët e SHBA-ve në Sirinë veriore, ajo tha: “Ne nuk kemi hapur zjarr ndaj ushtarëve amerikanë. Kjo gënjeshtër buron nga YPG. Ne u jemi kundërpërgjigjur me zjarr terroristëve të cilët qëllonin ndaj nesh nga ky rajon”.

“Ne ishim të kujdesshëm duke mos hapur zjarr ndaj pikave vëzhguese amerikan atje”, theksoi këshilltarja.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne