Turqia është një nga vendet që ndihmon më shumë Kosovën

Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha priti në takim Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Këvëllxhëm Këllëç (Kıvılcım Kılıç) me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe avancimin në agjendën integruese.

Në një komunikatë nga Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi ministrja Hoxha ka falënderuar ambasadoren Këllëç për ndihmën e vazhdueshme që ka ofruar Turqia për Kosovën.

“Turqia është një nga donatorët më të mëdhenj të Kosovës. Ka mbështetur subjektivitetin tonë ndërkombëtar si dhe anëtarësimin në instanca ndërkombëtare në mënyrë që të jemi plotësisht të barabartë me rajonin dhe këtë pjesë të Evropës”, ka thënë ministrja Hoxha.

Duke kërkuar që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve të thellohet, ministrja Hoxha theksoi se “Kosova është e përkushtuar që të rrisë dhe të forcojë bashkëpunimin në drejtim të përshpejtimit të zhvillimit të vendit dhe bashkëpunimit bilateral, integrimit në nismat rajonale dhe institucionet ndërkombëtare”.

Ndërsa ambasadorja Këllëç ia ka konfirmuar ministres Hoxha përkushtimin e saj për të përkrahur edhe më tutje Kosovën në rrugën e saj drejt fuqizimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne