Para se të nisej për në Ukrainë, ku do të shkojë për një vizitë zyrtare, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një konferencë shtypi në aeroportin “Ataturk” të Stambollit.
“Ne jemi të vendosur për t’i vazhduar operacionet që zhvillojmë për garantimin e sigurisë së vendit, popullit dhe vëllezërve tanë të Idlibit. Ata që përpiqen të testojnë vendosmërinë e Turqisë me sulme të tilla të poshtra do ta kuptojnë se po bëjnë një gabim të madh”,- u tha udhëheqësi turk gazetarëve.
“Vazhdon goditja e objektivave të përcaktuara në rajon qoftë me artileri, obusët “Furtuna”, qoftë goditja me avionët F-16. Sipas përcaktimeve të para në anën tjetër janë neutralizuar 30-35 sirianë”,- u shpreh Erdoan.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Shentop (Mustafa Şentop) ka reaguar ndaj sulmit në Idlib, ku ranë dëshmorë 4 ushtarë turq, përmes një postimi në «Twitter».
“Gjaku i dëshmorëve është marrë dhe do të vazhdojë të merret”,- thotë ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) në deklaratën që ka bërë në llogarinë e tij në «Twitter».
“Uroj që mëshira e Allahut të jetë mbi katër ushtarët tanë që ranë dëshmorë në Idlib si pasojë e sulmit të forcave të regjimit sirian; u shpreh ngushëllimet e mia familjeve të tyre dhe shërim të shpejtë për të plagosurit. Kundërpërgjigja ka qenë e menjëhershme ndaj këtij sulmi që mori në shënjestër Marrëveshjen e Idlibit. Gjaku i ushtarëve tanë do të merret, autorët [e sulmit] do të japin llogari”,- ka shkruar zëdhënësi i Presidencës Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) në «Twitter».
Sulmin e pabesë që la dëshmorë 4 ushtarët turq në Idlib e ka dënuar edhe Drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun përmes një postimi në «Twitter», ku ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e dëshmorëve.
“Ngushëllime për kombin tonë. I lutem Zotit që të mëshirojë dëshmorët tanë trima; uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit. Shteti ynë do të kërkojë llogari për këtë sulm të pabesë”,- shkruan Altun në «Twitter».
Në sulmet intensive me artileri të forcave të regjimit sirian në zonën Idlib [në veriperëndim të Sirisë] kishin rënë dëshmorë 4 ushtarë turq dhe ishin plagosur 9 të tjerë, njëri të gjendje të rëndë./trt