Turqia kërkon jetësimin e rekomandimeve të raportit të OKB-së për Khashoggi

Turqia deklaroi se mbështet fuqishëm rekomandimet e raportueses speciale të OKB-së për “Ekzekutimet Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare”, Agnes Callamard në raportin e saj publikuar të mërkurën për zbardhjen e plotë të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi dhe për të siguruar llogaridhënie për përgjegjësit.

Raporti i publikuar nga Përfaqësuesja Speciale e OKB-së, Znj. Callamard për vrasjen e gazetarit Khashoggi konfirmon konstatimet e arritura në kuadër të hetimit që janë duke ndjekur me rigorozitet autoritetet përkatëse turke, thekson Ministria e Punëve të Jashtme në komunikatën e saj me shkrim.

Në këtë kontekst, raporti në fjalë shpalos para syve se vrasja Khashoggi është kryer me paramendim duke shkelur parimet themelore në lidhje me të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, në veçanti ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore dhe parimet e OKB-së, vijon komunikata.

Ne mbështesim fuqimisht rekomandimet e Raportueses Speciale të OKB-së Znj. Callamard që synojnë të zbardhin plotësisht vrasjen e z. Khashoggi dhe sigurimin e llogaridhënies për përgjegjësit. Gjithashtu ftojmë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare që të këmbëngulin në jetësimin e këtyre rekomandimeve”, përfundon komunikata e shkruar e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Në datat 28 janar – 3 shkurt Callamard kishte vizituar Turqinë në kuadër të hetimit ndërkombëtar për vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi.

Hetimi ndërkombëtar filloi rreth 4 muaj pas vrasjes së Khashoggi dhe gjatë qëndrimit të saj në Turqi, Callamard u shoqërua nga avokatja skoceze Helena Kennedy dhe eksperti portugez i mjekësisë ligjore Duarte Nuno Vieira./TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne