Turqia kontribuon për zyrat e Fondit të Ballkanit Perëndimor në Tiranë

Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) ka kontribuar me pajisje të ndryshme për ngritjen e zyrave të Fondit të Ballkanit Perëndimor, sekretariati i të cilit ndodhet në Tiranë.

Në prani të ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, koordinatorit i TIKA-s në Shqipëri, Eyüp Yavuz Ümütlü, drejtori ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, Gjergj Murra, etj, u organizua dje pasdite në zyrat e këtij institucioni ceremonia e dorëzimit të ndihmave të ofruara nga TIKA, mobilie dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Eyüp Yavuz Ümütlü, tha se: “Mendoj që fondi është një organizatë e rëndësishme, që do të realizojë shumë projekte të rëndësishme, të cilat do të mundësojnë punë të përbashkët dhe bashkëpunim kulturor të vendeve të rajonit. Gjithashtu do të mundësojë njohjen më mirë të njerëzve të këtyre vendeve dhe do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Duke theksuar se ky është projekti i parë i TIKA-s në këtë institucion, Ümütlü, theksoi se ky nuk do të jete projekti i fundit. Ai shtoi se në rast se fondi do të aplikojë tek TIKA për projekte, në përputhje me standardet e projekteve të institucionit që ai drejton, ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, Gjergj Murra u shpreh se sot kanë konkretizuar mbështetjen që Qeveria e Turqisë përmes Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) ka dhënë për Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF).

“Fondi synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo organizatë përbëhet nga 6 vende anëtare. Selia e sekretariatit të tij ndodhet në Tiranë. Jemi një organizatë, e cila është në fillimet e saj dhe TIKA na ka mundësuar mbështetjen për zhvillimin e kapaciteteve të këtij sekretariati. Fondi i Ballkanit Perëndimor është një ndërmarrje e rëndësishme politike dhe diplomatike e vendeve të Ballkanit. Ai synon të mbështesë projektet e shoqërisë civile në këtë rajon bazuar në fondet që qeveritë e Ballkanit kanë vënë në dispozicion të fondit. Së shpejti do të bëhet dhe hapja zyrtare e këtij institucioni me synimin për të filluar thirrjen për projekte brenda këtij viti”, theksoi Murra.

Ai shtoi se bashkëpunimin me TIKA-n e konsiderojnë si shprehje të kontributit dhe vëmendjes që Turqia i ka kushtuar bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

Palët nënshkruese të Fondit të Ballkanit Perëndimor janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Institucioni ka si qëllim kryesor krijimin e një fondi të përbashkët, nëpërmjet të cilit do të financohen projekte të vogla dhe të mesme në fusha si arsimi, kultura, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mjedisi, bashkëpunimi ndërkufitar, etj.

Qëllimi i aktivitetit të FBP-së është promovimi i vlerave të përbashkëta dhe zhvillimi i bashkëpunimit rajonal mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke siguruar një qasje konkrete “People-to-People” për popujt e vendeve anëtare.

Objektivat e FBP-së do të hartohen në bashkëpunim me aktorët e shoqërisë civile dhe do të bazohen mbi prioritetet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne