Turqia kritikoi deklaratën e BE-së për sulmin terrorist në Afrin të Sirisë

Turqia reagoi ndaj deklaratës së Bashkimit Evropian (BE) në lidhje me sulmin terrorist të PKK/YPG-së në Afrin të Sirisë.

Drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun në deklaratën e tij të bërë në llogarinë e tij në Twitter tha: “Organizatës terroriste nuk i bëhet thirrje për armëpushim, terrori dënohet dhe duhet të luftohet”.

“Kur shikojmë deklaratën për shtyp, për fat të keq, shohim se BE-ja ende nuk qëndron në vendin e duhur në luftën kundër terrorizmit. Kjo është e papranueshme. Përkundër të gjitha paralajmërimeve tona të bëra deri më tani ata që mbështetën dhe armatosën PKK/YPG-në, bënë përpjekje për ta legjitimuar dhe lejuan që organizata terroriste të veprojë në vendin e tyre, janë ndër përgjegjësit kryesor për masakrën në Afrin të kryer dje (e martë). Ky sulm ka treguar se ‘etiketat’ e reja që u janë dhënë organizatave terroriste nuk ndryshojnë natyrën djallëzore të terroristëve”, shkruan Fahrettin Altun në postimin e tij.

Duke theksuar se terrorizmi dëmton shoqërinë civile, paqen dhe stabilitetin, ka pasoja të pariparueshme dhe të dhimbshme, Altun tha: “Identiteti i civilëve që humbën jetën dhe fakti se në cilën anë të kufirit ndodhi sulmi, nuk do të ndikojë në luftën tonë kundër autorëve të këtij sulmi të pabesë. Ne jemi Turqi. Ne luftuam dhe do të vazhdojmë të luftojmë me të gjitha format e terrorizmit. Sidoqoftë, ata të cilët ende përpiqen t’i shtrembërojnë fjalët e tyre përballë këtij sulmi të hapur terrorist dhe elementet informale që bëjnë aleanca të pista me organizatën terroriste PKK, i lëmë në vlerësim të kombit tonë”.

Në deklaratën e bërë nga Shërbimi i Marrëdhënieve me Jashtë të BE-së lidhur me sulmin terrorist të kryer me një autobot karburanti të ngarkuar me bombë në qendrën e rrethit të Afrin, pa përmendur emrin e organizatës terroriste PKK/YPG thuhet: “Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmin e tmerrshëm terrorist në Afrin të Sirisë. Ata që janë përgjegjës duhet të japin llogari”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne