Turqia kritikon komentet e zëdhënësit egjiptian që synojnë Erdoganin

Ankaraja ka kundërshtuar deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Egjiptit e cila synonte shtetin e Turqisë dhe presidentin e saj, Recep Tayyip Erdogan.

“Ne kundërshtojmë deklaratën e bërë nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit më 24 shtator 2019, e cila është përplot me gënjeshtra dhe shpifje që synojnë shtetin dhe presidentin tonë”, thonë në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

“Është tragjikomike që ata që erdhën në pushtet me një grusht shtet, kritikojnë demokracinë në Turqi”, thuhet në kumtesë.

Nga ministria thonë se “Turqia, si një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar bën thirrje për t’u dhënë fund shkeljeve të përhapura dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Egjipt dhe plotësimin e kërkesave legjitime të popullit egjiptian për demokraci, drejtësi, barazi, liri, llogaridhënie dhe prosperitet”.

Ministria e Jashtme Turke thekson se praktikat çnjerëzore në burgjet egjiptiane dhe proceset juridike të manipuluara nga vendimet politike janë mirë të njohura për komunitetin ndërkombëtar.

“Këto praktika veçanërisht janë subjekt i kritikave nga organizata të ndryshme ndërkombëtare”, thuhet në kumtesë.

Në vend që të merrte në konsideratë thirrjet dhe sugjerimet e mirëfillta në një mënyrë pozitive, nga Ministria e Jashtme turke thonë se administrata egjiptiane “preferon të ndërmarrë veprime agresive siç ka bërë edhe më parë, në mënyrë që të mbulojë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të injorojë kërkesat themelore të popullit egjiptian”.

Sipas kumtesës, përpjekja e Egjiptit për të goditur Turqinë, që ka një rol udhëheqës dhe eksperiencë në luftën kundër terrorizmit, është një refleksion i sjelljes së saj agresive.

“Turqia me vite po lufton kundër grupeve terroriste siç janë PKK/YPG, Al-Kaeda dhe DEASH, si dhe FETO”, qëndron në kumtesë.

“Lufta e Turqisë kundër terrorizmit, që përbën një kërcënim tejkufitar, kontribuon ndaj integritetit territorial të fqinjëve të saj, veçanërisht Sirisë si dhe kontribuon në mbrojtjen e sigurisë dhe paqes në rajon”, thuhet në kumtesë.

Duke iu referuar deklaratës së zëdhënësit egjiptian, nga ministria thonë se “nuk është befasuese” që ata që kanë ardhur në pushtet nëpërmjet grusht shtetit të mbështetin ata që kryejnë grusht shtet.

“Në thelb, kjo deklaratë qartë reflekton karakterin e qeverisë egjiptiane të bazuar në mizori dhe padrejtësi”, thuhet më tej.

Nga ministria thonë se Turqia do të vazhdojë sjelljen e saj parimore drejt paqes dhe prosperitetit të popullit vëllazëror të Egjiptit dhe do të vazhdojë të shfaq pikëpamjet e saj për kthimin në demokraci dhe vendosjen e të drejtave dhe lirive në vend./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne